Vjen oferta e parë zyrtare nga Londra për Muriqin
Vedat Muriqi është sulmuesi shqiptar më në formë.
“Bomberi” i përfaqësueses së Kosovës po mahnit me paraqitjet e tij në këtë pjesë të parë të sezonit me Fenerbahce. Shtatë golat e tij dhe asisti kanë tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave, mes të cilave edhe ato angleze.
E pikërisht, nga Premier League ka ardhur edhe oferta e parë kontrete për 25-vjeçarin. Sipas asaj që bën të ditur “Aksam”, Tottenham ka dërguar plot 17.1 milionë paund në dyert e klubit nga Stambolli për kartonin e tij.
Alternativat e pakta te klubi londinez, që tashmë largoi edhe teknikun, Mauricio Pochettino mund ta shtyjnë akoma dhe më shumë drejt blerjes së ish lojtarit të Teutës. Aktualisht, “gjelat” kanë emra si Harry Kane, Lucas Moura dhe Heung-min Son në repartin e sulmit dhe Muriqi shihet si alternativë mjaft e mirë për të ardhur nga stoli.
Gjithsesi, Fenerbahce nuk pritet të heq dorë kaq shpejt nga sulmuesi që e mori në merkaton e verës nga Rizespor.