Vjen propozimi për kandidatin konsensual për president
Njohësi i proceseve politike në vend, Lulzim Peci, ka thënë se derisa LV-ja dhe LDK-ja nuk po munden të dakordohen për postin e presidentit, ai ka propozuar për këtë post diplomatin Muhamedin Kullashi.
Sipas Pecit, Muhamedin Kullashi do të ishte simbol i unitetit të brendshëm, dhe sipas tij, do ta nderonte vendin tonë në prezentimin ndërkombëtar.
“Ky personalitet, i cili i plotëson këto kritere në të gjitha aspektet është akademiku, veprimtari politik dhe diplomati i shquar Prof. Dr. Muhamedin Kullashi”, ka shkruar Peci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Foto: Muhamedin Kullashi
“Prof. Dr. Muhamedin Kullashi ishte profesor i filozofisë në Universitetin e VIII të Parisit, bashkëthemelues i Komitetit të Kosovës në Paris së bashku me intelektualë të shquar të këtij vendi, dhe ambasador i Kosovës në Francë. Ai ka botuar me dhjetëra libra dhe punime shkencore në gjuhen frenge, angleze, spanjolle, kroate dhe shqipe. Por, mbi të gjitha atë e shquan integriteti i lartë personal, dhe është nder humanistët e rrallë që ka vendi ynë. Prof. Kullashi do t’i jepte kredibilitet postit të presidentit, dhe do të ndihmonte ta rindërtojmë tanime imazhin e rrënuar të vendit tonë”, ka shkruar Lulzim Peci.
/Epoka e re/