Vjen reagimi i Amerikës pas kërcënimit të Turqisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të gjejnë një mënyrë për të punuar në të njëjtin drejtim si aleati i saj i NATO-s, Turqia, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, teksa tensionet janë rritur mes dy vendeve rreth çështjes siriane.
Tillerson pritet të mbërrijë nesër në Ankara, si pjesë e turit të tij në disa vende.
Uashingtoni dhe Ankaraja kanë patur mosmarrëveshje mbi çështjen e luftës në Siri lidhur me një inkursion të vazhdueshëm turk kundër Njësive Mbrojtëse të Popullit kurd të mbështetur nga SHBA-ja (YPG), madje duke rrezikuar shfaqjen e një konflikti të armatosur mes dy aleatëve.
Turqia e ka konsideruar YPG-në një grup terrorist.
Rreziku i shfaqjes së një konflikti të armatosur midis Turqisë dhe SHBA-së është rritur që kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se operacioni në Afrin do të zgjerohej deri në Manbij, në vendin ku ndodhet baza ushtarake e SHBA-së, përcjell Atsh.
”Turqia po përballet me kërcënime nga disa zona jashtë Irakut dhe jashtë Sirisë”, deklaroi Tillerson duke theksuar nevojën për bisedime me Ankaranë.