
Vjen reagimi i parë, Besnik Tahiri: Garancitë juridike për shërbimin civil, një betejë që vazhdon
Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se njoftimi i Gjykatës Kushtetuese në rastet KO222/24 dhe KO224/24, i cili vlerëson si në përputhje me Kushtetutën dispozitat kalimtare të Ligjit për Zyrtarët Publikë (Ligji nr. 08/L-294), që shndërrojnë pozitat e nivelit të mesëm dhe të ulët drejtuese nga pozita me afat të pacaktuar në mandate të kufizuara, është një kthesë e rrezikshme për të ardhmen e shërbimit civil në Kosovë dhe cenim i garancive juridike të tyre.
Ai ka thënë se ky zhvillim cenon të drejtat e fituara dhe pritjet legjitime të nëpunësve civilë, dhe bie ndesh me standardet e SIGMA-s për një administratë të qëndrueshme, profesionale dhe të mbrojtur nga ndikimi politik.
“Po ashtu, bie ndesh me komentet e përsëritura të Bashkimit Evropian, që kërkojnë nga Kosova depolitizimin e administratës dhe respektimin e sigurisë juridike të nëpunësve publikë. Në këtë kontekst, bie ndesh me vetë obligimet që ka marrë Kosova me MSA-në për reformimin e administratës shtetërore në koordinim të ngushtë me BE-në. Të gjitha ndërhyrjet në këtë ligj, nuk janë të frymëzuara nga parimi i rregullimit të duhur dhe të qëndrueshëm të strukturave shtetërore. Në fakt, ato po krijojnë praktika që mund të rrezikojnë seriozisht funksionimin institucional të shtetit. Këto ndryshime po ndikojnë në stabilitetin e administratës publike dhe mund të minojnë besimin e qytetarëve në institucionet që duhet të jenë të qëndrueshme dhe të depolitizuara”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se ky vendim është pjesë e një tendence më të gjerë për kontroll institucional, njësoj si në rastin e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndikuar Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes shkarkimeve të anëtarëve, ndërhyrjeve në mandatin e tij dhe cenimit të rolit mbikëqyrës që ai duhet të luajë në mbrojtje të pavarësisë dhe paanshmërisë së shërbimit civil.
“Në rolin tim të mëparshëm si Koordinator i Nacional për Reforma Shtetërore, zëvendëskryeministër e deputet kam pasur gjithmonë një fokus të vetëm dhe të qartë: ruajtjen dhe forcimin e garancive juridike për një administratë të pavarur, profesionale dhe të depolitizuar. Ky ka qenë angazhimi im kryesor për një administratë që respekton standardet ndërkombëtare dhe që vepron në interes të qytetarëve, dhe jo në interes të grupeve politike. Besoj fuqishëm që një shërbim civil i fortë dhe i pavarur është themeli për një shtet të qëndrueshëm, që bazohet në parimet e sundimit të ligjit dhe transparencës”, ka theksuar Tahiri, duke shtuar se: “Edhe pse unë, kam kundërshtuar këtë ndryshim në disa raste, e dimë se pas disa tentativave për kontroll të shërbimit civil, ky vendim është pranuar. Megjithatë, unë do të angazhohem për të rikthyer garancitë e plota për shërbimin civil. Do të punoj që ato të sigurohen dhe të ruajnë administratën tonë të pavarur, moderne, profesionale dhe të depolitizuar. Ky është angazhimi im pra për një administratë të fuqishme dhe të pavarur, pa ndikime të jashtme, dhe për mbrojtjen e këtyre garancive të domosdoshme për stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës”.