Vjen reagimi nga Serbia pasi u vendos baneri “Liria ka emër” në Graçanicë
Një baner i madh për UÇK-në e vendosur në Graçanicë të Kosovës, qytezë e banuar nga pakica serbe ka sjellë reagimin e ashpër të Beogradit.
Televizioni shtetëror serb “RTS” e ka cilësuar banerin si “provokacje”. Baneri që ka si gravurë portretin e Adem Jasharit ka të shkruar edhe slloganin “Liria ka emër: UÇK”.
Sipas “RTS”, serbët që jetojnë në Graçancë janë të shqetësuar dhe e perceptojnë billbordin si një provokim dhe presion të drejtpërdrejtë para fillimit të procedurave gjyqësore kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Me këtë rast, drejtori i Zyrës së Kosovës në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se ai baner është “kërcënim i hapur për sigurinë e serbëve në pjesën qendrore të Kosovës dhe provokim që tregon se shqiptarët janë ende larg distancimit të sinqertë nga krimet e kryera në emër të tyre”.