Vjena sërish qyteti më i mirë në botë për të jetuar
Edhe një herë, qyteti i Vjenës u rendit në vendin e parë në renditjen globale të si vendi më i mirë për të jetuar.
Është hera e njëmbëdhjetë që Vjena zyrtarisht mund ta quajë veten qyteti më i jetueshëm në botë.
Të paktën sipas renditjes globale të firmës konsulente “Mercer”. “Anketa e Cilësisë së Jetesës 2023” krahason cilësinë e jetës në 241 qytete në mbarë botën – dhe Vjena doli sërish fituese.
“Vjena është e njohur për historinë e saj të pasur, arkitekturën mbresëlënëse dhe skenën e gjallë kulturore dhe u ofron banorëve të saj një standard të lartë jetese në shumë mënyra”, thuhet në faqen zyrtare të “Mercer”.
Vjena ia detyron vendin e saj në krye të botës infrastrukturës së saj me një rrjet të mirë-zhvilluar dhe të besueshëm të transportit publik, ujin dhe kujdesin shëndetësor, dhe një gamë të gjerë ofertash arsimore. Për renditjen janë përdorur kritere të ndryshme, duke përfshirë standardet shëndetësore, stabilitetin politik, situatën ekonomike, sistemin arsimor, tregun e banesave dhe ruajtjen e natyrës. Studimi bazohet në të dhëna nga institute dhe autoritete të pavarura, të cilat vlerësohen nga “Mercer” dhe plotësohen nga një anketë e emigrantëve – punëtorëve të dërguar jashtë vendit.
Kryetari i bashkisë së Vjenës, Michael Ludwig është i kënaqur me renditjen e lartë: “Ne po punojmë gjatë gjithë kohës me përkushtim të plotë për t’u ofruar njerëzve të Vjenës jetën më të mirë të mundshme. Sigurisht, është mirë të shohësh që këto përpjekje njihen edhe në renditjet ndërkombëtare. Shqetësimi ynë kryesor është të vazhdojmë të punojmë për popullin e Vjenës dhe të zhvillojmë vazhdimisht qytetin tonë”.
“Mercer”, vendi i dytë shkon në Cyrih dhe vendi i tretë në Auckland. /Albinfo.at