Vjollca Dibra publikon studim krahasimtar për Poundin, Andriqin, Handken
Profesoresha e letërsisë, Vjollca Dibra, pas mbrojtjes së punimit pasdoktoral krahasimtar mbrojtur në Universitetin “Karl-Franzens” të Gracit (Austri) Qendra për Studime Kulturore (Centre for Cultural Studies), para komisionit të përbërë nga: Mario Huber, Rita Rieger, Gero Graf Von Roedern dhe Riccardo Schoefberger. Mentore: Ao. univ. prof. dr. Susanne Knaller, ka botuar librin “Shkrimtari dhe njeriu : (studim pasdoktoral krahasimtar: Poundi, Andriqi, Handke)” me shtëpinë botuese “Armagedoni”.
Autorja, në parathënien e librit, ka bërë me dije se “autorët, veprat dhe veprimet e të cilëve i kam marrë si objekt studimi, janë Poundi, Andriqi dhe Handke. Njëri amerikan, tjetri jugosllav, i fundit austriak. Poundi dhe Andriqi kaluan në botën e përtejme para një çerek shekulli. Andriqi laureat i çmimit “Nobel”. Hankde i gjallë dhe, po ashtu, laureat i çmimit “Nobel”. Që të tre janë emra eminentë jo vetëm brenda arealit të tyre gjuhësor, por edhe më tutje, në hapësirat e letërsisë botërore. Që të tre me prirje “djathtiste” nga këndvështrimi i fjalorit politik. Portali që na i hap dyert për interesimin tonë shtrihet në tri pista: në identitetin, në individualitetin dhe në personalitetin e tyre”.
Më poshtë parathënia e librit:
Parathënie
Hulumtimet në fushën e letërsisë janë një terren i gjerë dhe i pafund. Ato nisin nga kureshtja e parë e leximit të një vepre letrare dhe shtrihen gjithandej në trajtë tundimi të përhershëm. Zanafilla e këtij problemi nis sidomos në muzgjet e hershme të veprave të artit letrar, po thellohet me ndarjen epokale të letërsisë popullore (orale) me letërsinë e shkruar. Është pra koha kur veprat nga anonimati popullor marrin autorësi personale. Kështu, së paku sipas paraqitjes, pavarësisht prej hamendësimeve dhe mistifikimeve, veprat e para me autorësi na dalin Iliada dhe Odiseja të Homerit, që i bie rreth nëntë shekuj Para Lindjes së Krishtit.
Në këtë vazhdë edhe interesimet për veprat letrare të shkruara, me autorë, marrin shtrirje më të shumanshme, duke pasqyruar jo vetëm përmbajtjet e atyre veprave, jo vetëm format dhe gjinitë, por edhe raportet: Autori – Vepra, Autori – Jeta shoqërore, Koha dhe Hapësira, Filozofia e veprës dhe Politika e kohës, Estetika e saj dhe Etika e jetës, Imagjinata dhe Realiteti.
Mbase ndëshkimin a mallkimin e parë mbi shkrimtarët e hodhi Platoni në projeksionin e tij ideal për Republikën. Vepra e tij erdhi në gjuhën shqipe një herë me titullin SHTETI pastaj REPUBLIKA, por që është e vetëkuptueshme përderisa ka për model Athinën e lashtë, Polisin ose Qytetin-shtet. Ai shkrimtarëve nuk u la vend midis filozofëve, ushtarëve e punëtorëve, ngaqë i shihte si plëngprishës. Një kurs pak a shumë të ngjashëm ndoqi edhe filozofi tjetër, Aristoteli, duke e konsideruar veprën e tyre si prodhim të sëmundjeve emocionale dhe shpirtërore. Këtu mori shkas edhe disiplina e studimit të sëmundjeve të shkrimtarëve që njihet me emrin Patografia (biografia mjekësore me të dhëna mbi origjinën a trashëgiminë e zhvillimit të sëmundjes). Prandaj duket si i parathënë edhe Fenomeni i Ostracizmit ose fenomeni i përzënies së shkrimtarëve, fat të cilin e përjetoi tragjediani i lashtësisë greke, Eskili. Ky fenomen në forma të ngjashme a me modifikime u ndoq edhe tutje gjatë zhvillimit të shoqërisë njerëzore deri te poeti latin Ovidi. Dante, po ashtu, përjetoi një fat të ngjashëm. Në trajtën e përndjekjes së shkrimtarëve, po ky fenomen erdhi deri në periudhën e diktaturave komuniste, ku përballë dënimeve e vrasjeve të shkrimtarëve dukej madje një luks ose një dënim nderi, siç ndodhi me Boris Pastërnakun dhe Brodskin në Bashkimin Sovjetik.
Një variant ende më i zbutur, megjithëse i vështirë për t’u realizuar, erdhi dhe u zhvillua me “ikjen e vullnetshme” ose arratinë e shkrimtarëve nga vendet diktatoriale, si Salman Rushdie (ndjekur nga Fatvaja homeiniane) ose ekzili i Ismail Kadaresë në Francë në prag të shembjes së komunizmit në Shqipëri.
Deri këtu jemi brenda qëndrimit ose profilit të vetë shkrimtarëve me oponencë të theksuar ose nonkonformizëm me rendin e gjërave. Një rebelizëm i nxitur nga mbrojtja e lirisë dhe e të drejtës, nga prirja humaniste dhe idealet e demokracisë. Po a ndodh përherë kështu? A është përherë dhe për secilin shkrimtar kjo kahja e duhur? Jo.
Në këtë punim ne do të provojmë diçka të kundërt, të rrallë e të çnatyruar.
Në fushën e studimeve të artit në përgjithësi dhe të letërsinë në veçanti, pothuajse kurrë nuk mund të pretendosh studim të gjerë kërkimor dhe shterues, pavarësisht nga kryerja e studimeve teorike, historike, estetike ose krahasuese. Kjo rrjedh nga vetë natyra e arteve dhe e letërsisë.
Duke qenë pjesë e ndërgjegjes shoqërore dhe e jetës njerëzore, ato vijnë dhe zhvillohen në një mënyrë imanente dhe metafizike. Në këtë proces duket se jemi të një mendimi me Teorinë e Ajnshtajnit mbi Relativitetin.
Megjithatë, brenda këtij procesi në zhvillim, mund të arrihet në përfundimin se studimet historike-letrare, teorike-letrare si dhe studimet estetike përparojnë në kërkimin e korpusit letrar në rritje. Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për fushën e studimeve të letërsisë krahasuese, pavarësisht nga fusha e saj gjeopolitike.
Ndërsa historianët, teoricienët dhe estetët e letërsisë shqipe, padyshim paraqesin dhe shtojnë një yjësi në atë që quhet traditë, krahasuesit janë të paktë pasi vetë literatura krahasuese është një fushë e re krahasuar me zhanret e tjera studimore letrare.
Sipas studiuesit bashkëkohor të letërsisë krahasimtare, Steven Totosy, arsyet themelore përse e studiojmë letërsinë krahasimtare janë vlerat intelektuale që i ofron kjo disiplinë me qëllim të njohjes së të tjerëve duke u angazhuar në njohjen e thellë të disa gjuhëve dhe letërsive. (Totosy, 1998:19)
Steven Totosi së fundmi flet mbi një frymë të re të letërsisë krahasimtare, të cilën e emërton letërsia krahasimtare e re. (Totosi, 1998:28) Këtu letërsia krahasimtare gërshetohet me një fushë të re të quajtur ‘studime kulturore’, prandaj dhe si rezultat i kësaj kemi një fushë të re studimore të emëruar ‘studime krahasimtare të letërsisë dhe kulturës’, e cila aktualisht zë vend të rëndësishëm në shkencat humane perëndimore. Studiuesit e rinj të këtyre shkencave shprehin mendimin se pasi që letërsia është një nga shumë diskurset tona kulturore, atëherë atë duhet studiuar në kuadër të socio-kulturës për shkak se studimet estetike më nuk mund të jenë qëllimi i vetëm i studimeve letrare. Kjo shkollë tekstin nuk e kufizon vetëm në tekst të shkruar dhe letërsinë vetëm në letërsi të pastër, siç jemi mësuar ta perceptojmë deri më tani, por gjurmimet e saj i shtrinë edhe në film, pikturë, letërsi popullore etj.
Në kulturën e një populli dhe në historinë e tij përvojat sintetizohen për t’i nënshtruar problemet e të tashmes dhe mënyrës si t’i shmangim në të ardhmen. Kur këto përvoja t’i kalojnë kufijtë lokalë edhe mund të shërbejnë si ndihmëse të rrethanave të ngjashme diku tjetër. Bëhen universale, u përkasin të gjithëve, ashtu si edhe veprat letrare.
Historia e veprave/historia e autorëve – historiografia krahasuese – duhet të merret me veprat e autorëve. Megjithatë, shmangia e autorit si personalitet krijues nuk mund të përfillet. Është, thjesht, për të pohuar se kushdo që kërkon të ketë informacion mbi personalitetin e Ezra Poundit, ta zëmë, ose të Ivo Andriqit, ose edhe të një Peter Handkes mund të përdorë mjete të ndryshme nga vëllimet kushtuar atyre ose veprave të tyre, që janë shqyrtuar në një perspektivë ndërkombëtare. Pikërisht, përvojat dhe mënyra e parashtrimit të fakteve, të cilat herë pas here bënë që autorët përkatës të gjenden mes parajsës dhe propagandës, më shtyn që të hedh dritë mbi një pjesë të errët të këtyre tre autorëve.
Autorët, veprat dhe veprimet e të cilëve i kam marrë si objekt studimi, janë Poundi, Andriqi dhe Handke. Njëri amerikan, tjetri jugosllav, i fundit austriak. Poundi dhe Andriqi kaluan në botën e përtejme para një çerek shekulli. Andriqi laureat i çmimit “Nobel”. Hankde i gjallë dhe, po ashtu, laureat i çmimit “Nobel”. Që të tre janë emra eminentë jo vetëm brenda arealit të tyre gjuhësor, por edhe më tutje, në hapësirat e letërsisë botërore. Që të tre me prirje “djathtiste” nga këndvështrimi i fjalorit politik. Portali që na i hap dyert për interesimin tonë shtrihet në tri pista: në identitetin, në individualitetin dhe në personalitetin e tyre.
Biobibliografi
Vjollca Dibra lindi më 29 maj 1976 në Prishtinë.
Studioi në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, në Degën e Letërsisë Shqipe dhe Degën e Gjuhës Angleze, paralelisht, deri më 6 mars 1999, kur diplomoi në Degën e Letërsisë Shqipe.
Në vitin 2008 mori gradën Magjistër i Shkencave Filologjike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Filologjisë, ndërsa në vitin 2011 mori titullin Doktor i Shkencave Filologjike në Universitetin e Shkupit “Sveti Kiril i Metodij”, Fakulteti i Filologjisë “Blazhe Koneski”.
Në tetor të 2011-s filloi punën e profesoreshës në Fakultetin e Edukimit (Universiteti “Hasan Prishtina”) në Prishtinë dhe në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku punon edhe tash.
Më 8 korrik 2019 filloi punën si u. d. dekan në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Më 7 tetor 2019 filloi punën prorektore për Çështje Akademike dhe Ngritje të Cilësisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Në fushën e krijimtarisë letrare është nderuar me shumë çmime.
Jeton në Prishtinë me bashkëshortin dhe tri vajzat.
Ka publikuar:
Suvalë e përgjumur, (poezi), Prishtinë, 1995
Minotauri, (roman), Prishtinë, 2000
Përtej vetes, (poezi), Prishtinë 2005
Mozaiku i jetës model i artit (poetika e tregimeve të Anton Pashkut), Prishtinë, 2009
Heroinat e deheroizuara (kontekstualiteti shoqëror dhe artistik i dy protagonisteve: – studim komparativ për romanet Nata me hënë të Ismail Kadaresë dhe Nderi i humbur i Katerina Blumit të Hajnrih Bëlit), Tiranë, 2011
De-heroized heroinës (Social and Artistic Contextuality of the Two Protagonists – A Comparative Study on The Lost Honor of Katharina Blum by Heinrich Böll and A Moonlit Night by Ismail Kadare), Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, 2020.
Ka publikuar shumë punime shkencore në fushën e letërsisë në revista brenda dhe jashtë vendit.