Vjollca Hajdari merr titullin “Ambasadore e Paqes” (Dokument)
Federata e Paqes Universale dhe Federata Ndërfetare dhe Ndërkombëtare për Paqen Botërore me seli në Shqipëri dhe Amerikë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, ia kanë ndarë publicistes dhe politologes, Vjollca Hajdarit, titullin “Ambasadore për Paqen”.
Në këtë mirënjohje që iu është ndarë Hajdarit është thënë: “Federata e Paqes Universale dhe Federata Ndërfetare dhe Ndërkombëtare për Paqen i njohin ata individë, jeta e të cilëve ilustron idealin e jetesës për hir të të tjerëve. Vlerësohen personalitetet që kontribuojnë në promovimin e vlerave universale, në bashkëpunimin ndërfetar, harmoninë ndërkombëtare dhe në rinovimin e Kombeve të Bashkuara. Me këtë titull nderohen ata njerëz, që shërbejnë si persona të përgjegjshëm publik dhe që kultivojnë kulturën e paqes, duke tejkaluar barrierat raciale, nacionale dhe fetare’”.
“Ambasadorët për Paqen”, është thënë në këtë mirënjohje kontribuojnë në plotësimin e shpresave për të gjithë brezat përkitazi me paqen e përbashkët në botë, ku dimensionet shpirtërore dhe materiale janë në harmoni me njëra tjetrën.
Ky është çmimi i dytë në këtë muaj, që i ndahet Vjollca Hajdarit me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Vetëm pak ditë më parë, më 21 nëntor, Vjollca Hajdari kishte marrë çmimin për “Miqësi mes Popujve” nga Qendra për Evropën Lindore në bashkëpunim me fondacionin Heinrich Böll dhe organizatën Open International Dialogue.
Ajo ishte nderuar për kontributin e saj në raportin e Gjermanisë me Kosovën dhe Shqipërinë, për kultivimin e dialogut ndërkombëtar dhe për veprimtaritë e saj për një Evropë të përbashkët.
Në vitin 2005 Vjollca Hajdari ishte laureate e çmimit për angazhim humanitar nga Senati i Berlinit dhe Organizata SOS Kinderdorf, për ndihmën dhe mbështetjen e saj, dhëne refugjatëve Shqiptarë, ndërkaq që mirënjohje ka marrë edhe nga ish-kongresisti amerikan, Joseph Diogardi dhe Lidhja Qytetare Shqiptare-Amerikane.
/Epoka e re/