Vjollca Sallova-Mjekiqi, shoferja e parë nga Kosova që u licencua në kategorinë D
Vjollca Sallova-Mjekiqi është shoferja e parë nga Kosova që është pajisur me licencën ndërkombëtare për vozitje të kategorisë D.
Sallova-Mjekiqi ka studiuar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Sociologji dhe është nënë e katër fëmijëve.
Ajo thotë se dëshira për të vozitur automjete të kategorisë D i lindi para katër vitesh kur ishte për vizitë familjare në Gjermani.
Sallova-Mjekiqi ka thënë se atje pa shumë femra duke vozitur automjete të kategorisë D; kombibus dhe autobus.
Me t’u kthyer në Kosovë, ajo ka regjistruar kategorinë D dhe më pastaj ka marrë licencën ndërkombëtare nga Ministria e Infrastrukturës për këtë kategori. “Kur u kthyem në Kosovë, bashkëshorti ma bëri befasi për 8 mars regjistrimin për kategorinë D. Në momentet e para kur fillova me vozitje ishte pak sfiduese sepse kishte shumë kolona dhe njerëzit më shikonin sikur të ishte diçka e pazakontë. Tash vozitjen e automjeteve si minibusët dhe autobusët e ndjejë pjesë të jetës time”, ka thënë Sallova-Mjekiqi për gazetën “Epoka e re”.
Ajo ka treguar se në trafikun urban janë tri femra që vozisin. “Unë jam e vetmja që voziti me licencë ndërkombëtare, pra vozitje jashtë kufijve”, ka treguar ajo.
Sallova-Mjekiqi ka pohuar se ndihet e privilegjuar që ushtron profesionin e shoferes, dhe thotë se do të ishte e lumtur po të shihte më shumë femra në këtë profesion.
“Ndihem shumë mirë dhe e privilegjuar, sepse është diçka që jo çdokush mund ta bëjë. Pse mos ta provojnë një gjë të tillë edhe femrat tjera. Unë mund t’ju them se kjo është mundësi të mirë. Pra pse mos të ecën edhe Kosova përpara si gjitha vendet e Evropës dhe botës me shofere femra”, ka theksuar Sallova-Mjekiqi.
Ajo ka treguar se fillimisht kur ka marrë kategorinë D ka vozitur një minibus duke bartur nxënësit nëpër kolegje.
Sallova-Mjekiqi ka thënë se tani udhëton tri herë në javë për në Shqipëri dhe se në të ardhmen pretendon që të ketë udhëtime edhe drejt destinacioneve evropiane.
“Me bie të vozisë tri herë në javë. Tiranë, Dhërmi, Durrës, Shëngjin. Udhëtimi më i gjatë më ka ra deri në nëntë orë që të vozisë. Kuptohet në kohën e pushimeve verore. Kryesisht kam udhëtuar deri në Shqipëri. Ëndërroj që të udhëtoj edhe për Evropë. Megjithëse udhëtimi jashtë Kosovës është pak i ndjeshëm pasi më duhet t’i lë fëmijët në shtëpi, mirëpo puna është punë”, ka thënë Sallova-Mjekiqi, duke shtuar se në të ardhmen planifikon që ta ketë një kompani të saj.
“Shumë kam dëshirë që ta kem një kompani timen, por kjo kërkon financa. Vozitjen e kam relaksim. Kur pasagjerët janë të mirë udhëtimi bëhet edhe më i shkurtër. Shumica e pasagjerëve më japin kurajo. Ka të atillë që më thonë: ‘shumë mirë që po shohim një femër duke vozitur’”, ka treguar ajo.
Sallova-Mjekiqi ka thënë se nuk u frikësohet sfidave të cilat mund t’i ndodhin në udhëtimet e largëta.
“Nuk më ka ndodhur deri më tani që të më prishet minibusi apo autobusi, por edhe nëse ndodh i di disa gjëra. Në komunikacion mund të ndodh çdo gjë. Mesazhi im për fermat që e kanë pasion vozitjen është se ato duhet ta kenë edhe profesion këtë. Megjithatë ky profesion do vëmendje dhe përkushtim, por ja vlen. Ka femra në Kosovë shumë të zellshme dhe të zonja që mund t’ia dalin. Profesionin duhet ta dish që ta zotërosh”, është shprehur tutje Sallova-Mjekiqi.
(Albulena S. Mavraj / Epoka e re)