Vjosa Osmani tregon arsyen pse u pa bashkë me Kurtin duke u regjistruar si deputete
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka reaguar për fotografinë ku shihet ajo teksa regjistrimin si deputete në Kuvendin e Kosovës e bën bashkë me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo ishte thjesht një koincidencë.
Ajo ka theksuar se mesazhet politike për LDK-në i bënë të qarta përbrenda organeve vendimmarrëse dhe jo nëpërmjet fotografive e as në mënyrë të tërthortë.
“Po e shoh që media të caktuara po tentojnë që regjistrimin tim si deputete në Kuvendin e Kosovës ta përkthejnë si mesazh politik. Po e sqaroj që nuk ishte mesazh politik por thjeshtë një koincidencë. Unë kam shkuar të regjistrohem në kohën që më është sugjeruar nga administrata e Kuvendit meqë më herët isha jashtë vendit. Pra ishte çështje administrative e jo politike. Mesazhet politike për partinë time unë i bëjë të qarta përbrenda organeve tona vendimmarrëse dhe as nëpërmjet fotografive e as në mënyrë të tërthortë. Qëndrimet tona politike janë ndërtuar me përkrahjen unanime të organeve të LDK-së”, ka shkruar Osmani.
/Epoka e re/