Vjosa Osmani i besonte plotësisht Martin Berishajt, pas acarimit me Kurtin kërkon largimin e tij nga posti i Ambasadorit
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, në prill te vitit 2022 besonte plotësisht në pafajësinë e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që përmendej nga mediat sllovene për një skandal mija eurosh me kompaninë energjetike GEN.
Aso kohe, Berishaj pos mbështetjen e Qeveisë së Kosovës e kishte edhe atë të presidentes Vjosa Osmani e cila thoshte se i besojnë ambasadorit Berishaj.
“Si presidente pres që çdo gjë që publikohet të konfirmohet, dhe nëse nuk konfirmohen ne procedojmë ashtu si i kemi marrë vendimet tona dhe ne i besojmë ambasadorit të Republikës sonë kur mohon akuza të tilla”, kishte thënë Osmani më 22 prill 2022.
Por, shtatori i vitit 2024 e gjen Osmanin me mospajtime me kreun e ekzekutivit Albin Kurti, po ashtu edhe me ish-partiaken e saj Donika Gërvallën e cila mban pozitën e kryediplomates.
Të dielën, gjatë një interviste për “Kallxo Pernime”, Osmani e pranoi që kishte vendosur që mos ta kishte afër Martin Berishajn gjatë vizitës së saj në Kroaci, gushtin e këtij viti.
Pos kësaj, Osmani thotë se do të ishte më mirë që përderisa një ambasador përballet me procedura të tilla të largohet nga ajo pozitë.
“Unë dëshiroj që institucionet e drejtësisë të japin fjalën e vet dhe më e mira në raste të tilla dhe më e mira do ishte që derisa të kryheshin procedura të tilla ai të largohej nga ajo pozitë. Nuk mundet presidentja me shkarku dikë krye më vete sepse është procedurë. Unë në disa raste kam kërku që në qoftë se kjo çështje nuk sqarohet do të ishte më mirë që ai me u tërheqë vet. Në takime të përbashkët që i kemi bërë, kryesisht Ministrisë së Jashtme”, ka thënë Osmani më 8 shtator. /Gazeta Express