Vjosa Osmani i përgjigjet Mustafës e të tjerëve: Shihemi në garën zgjedhore së shpejti
Vjosa Osmani pasi mori lajmin e rezultateve zyrtare të LDK-së për shkarkimin e saj nga pozitat udhëheqëse në këtë parti, ka përcjell një mesazh për ata të cilët votuan për shkarkimin e saj.
Ajo gjithashtu ka falendëruar 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik.
“I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Facebook”.
Sipas njoftimit të LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po) lirimin e Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së; 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim.
(M.Q / Epoka e re)