Vjosa Osmani ia çoi mesazh Kurtit dhe VV’së: Kur u bashkuam i bëmë 440 mijë vota
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë në një intervistë ka folur për shumë çështje aktuale, përfshirë edhe raportet e saj me partinë në pushtet.
Kur u pyet se a do ta kandidojë VV atë si presidente, Osmani u kthye mbrapa në kohë, duke thënë se në vitin 2020 kishte qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti 1. Osmani shtoi se atë kohë nuk e mendonte kandidimin si presidente ose deputete.
“Në vitin 2020 kur u rrëzu Qeveria Kurti 1 ju e dini që kam dalë në mbrojtje të parimeve që i kam premtu para qytetarëve të Kosovës dhe kam votu kundër rrëzimit të Qeverisë edhe kundër asaj metodologjie shumë të shëmtuar që u organizua prapa shpine pa e mendu asnjë moment se çka do të ndodh me mu. As nuk e kam mendu a do të kandidoj me dikë tjetër as nuk e kam mendu a do të më përjashtojnë partia në të cilën isha, as nuk e kam mendu a do të kandidojë si presidente apo si deputete, nuk kam pasë marrëveshje as me kryeministrin Kurti as me dikë tjetër. Kam dalë sepse kam qenë e bindur që është gjëja e drejtë për ta bërë. Edhe tash, unë jam duke e bërë me qëllimet më të mira, besoj, punën më të mirë në interes të qytetarëve dhe vendit tim, si do të rrjedh uji, lumi i politikës janë gjëra që është shumë herët që ta themi tash për mesin e vitit 2026”, tha ajo në KallxoPernime.
Osmani tha se nuk ka vendosur ende nëse do të kandidojë sërish si presidente.
“Ende nuk e kam vendos një gjë të tillë, ta them shumë sinqerisht për shkak se ka shumë faktorë që duhet me u marr parasysh.”
Osmani ka thënë se kur patën kandiduar ndaras ajo i pati marrë 200-225 mijë vota, ndërsa bashkë me Kurtin i morën 440 mijë. Sipas saj kjo ka të bëjë me bashkimin e forcave.
“Kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kalume, ka qenë i përbashkët dorën në zemër. Sepse kur patëm kandidu ndamas unë i pata marrë diku 200-225 mijë vota e kur u bashkum i bënëm 440 mijë. Ajo çka po them unë është që ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët, rrjedhimisht ne kemi qenë në krye të fushatës, kandidat për kryeministër dhe kandidat për president. Pra e kemi përkrahur njëri- tjetrin, se kur kjo po përkthehet ‘jo ty të ka përkrah vetëvendosja’, po kadale se kjo gjë ka qenë reciproke, i kemi bashkuar forcat dhe kemi arritur një rezultat të mirë”, tha Osmani.
Ajo tha se është bërë punë e mirë në shumë drejtime. “A ka mujt me u bo ma mirë në shumë sektorë, po”, shtoi Osmani.
Presidentja Osmani tha se “nuk i bie pishman për bashkëpunimin”.
Osmani u pyet se a ndihet e përdorur që votat e saj ta çojnë VV’në në pushtet,
“Nuk e lejoj askënd me më përdor, të lutem, nuk e lejoj askënd. Unë jam duke e përfaqësuar shtetin tim, jam duke e mbrojtur interesin e shtetit tim, jam duke e bërë të pamundurën që interesi i Kosovës të mbrohet brenda dhe jashtë vendit. Nuk lejoj me më përdor askush, se as kur kam qenë 22 vjeç në politikë nuk jam përdorur e le më tash”, tha ajo.
Ajo u pyet nëse do të vazhdojë karrierën politike pas postit të presidentes.
“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, tha Osmani.