Vjosa Osmani më 6 tetor do të bëhet zonja e shtëpisë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se qytetarët po e mirëpresin dhe po i besojnë ofertës së kësaj partie për zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai ka thënë se programi i LDK-së është për një Kosovë më të mirë, më demokratike dhe më të zhvilluar.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haziri ka deklaruar se nga 6 tetori Vjosa Osmani do të bëhet zonja e shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se suksesi dhe fitorja e LDK-së që do të ndodhë në këto zgjedhje u atribuohet qytetarëve të Kosovës.
Sipas Hazirit, qeverisja e LDK-së, përveç zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, do t’i relaksojë marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë.
Kurse sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka thënë se kryeministrja e ardhshme ka platformën e gatshme dhe në Kuvend do të ndërtohet konsensusi në nivel kombëtar.
“Epoka e re”: Z. Haziri, si po pritet nga qytetarët oferta e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani?
Haziri: Gjatë këtyre dy javëve kemi takuar qytetarët në të gjithë territorin e Kosovës, te të cilët kemi përçuar mesazhin tonë për një Kosovë më të mirë, më të lirë, më demokratike dhe më të zhvilluar. Kosova është më keq se dje, prandaj koha për LDK-në dhe rikthimin e saj të madh po vjen. Në takimet dorë më dorë qytetarët na kanë dhënë mbështetje të plotë për ta realizuar programin tonë qeverisës dhe për t’i zgjidhur së bashku problemet. Me këtë rast, më lejoni që t’i falënderoj edhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë kudo në botë sepse ata janë heronjtë e gjallë të Kosovës. Tendenca që mërgata të ngjyroset me ngjyra dhe ideologji të majta është e paqëndrueshme sepse ajo gjithmonë ka qenë krahu më i rëndësishëm i Kosovës. Është në vullnetin e saj të lirë për të vendosur dhe për ta shfrytëzuar të drejtën e votës duke mos lejuar të bëhet pre e ngjyrave dhe ideologjive të cilat në Kosovë kanë me shumë qëllime manipuluese sesa reale. Ka ardhur koha që nga 6 tetori në Kosovë zonjë e shtëpisë të bëhet Vjosa Osmani.
“Epoka e re”: Pse mendoni se po vjen koha për qeverisjen e LDK-së dhe cilat janë tri arsyet për të cilat duhet t’ju votojnë qytetarët?
Haziri: Janë 134 arsye të mëdha, ndoshta edhe më shumë! Arsyeja kryesore është se Kosova ka degraduar politikisht dhe institucionalisht. Liria e saj është e cenuar nga arroganca politike, si dhe shkalla e demokracisë po rrëshqet drejt një autokracie. Edhe pavarësia e vendit nuk është e shtrirë në të gjithë territorin e Republikës dhe po rrezikohet çdo ditë nga këto sjellje. Rikthimi i madh i LDK-së si parti më e madhe dhe më e fuqishme do të konfirmohet më 6 tetor. Sundimi i ligjit, punësimi, zhvillimi dhe ekonomia e lirë janë shtyllat e programit tonë që po shpaloset çdo ditë në terren dhe po besohet nga qytetarët. Thirrja jonë për besim ka dalë nga ajo që e kemi parë në pritjen që na kanë organizuar qytetarët nëpër komuna të ndryshme të vendit.
“Epoka e re”: Mund ta kthejë qeverisja e LDK-së Kosovën në binarët e duhur si dhe t’i finalizojë me sukses proceset e rëndësishme për të ardhmen e shtetit, meqë kundërshtarët po e quajnë LDK-në dhe znj. Osmani të pafuqishme?
Haziri: Për fitore dhe sukses të Kosovës nuk është më pak burrni për t’u rreshtuar pas një gruaje e cila do ta garantojë realizimin e programit më të mirë qeverisës. Osmani e ka fuqinë politike, kompetencën, si dhe e ka pavarësinë e plotë në vendimmarrje. Askush nuk duhet të frikësohet, në veçanti ata që do të shkojnë në opozitë nga vendimet e drejta, të shpejta dhe të fuqishme që kryeministrja e ardhshme do t’i marrë. Tendenca për t’u fshehur mbrapa një gruaje në emër të pafuqisë është vetëm seksizëm mashkullor e assesi diçka tjetër. Por, ne e kuptojmë këtë sepse ato parti udhëhiqen nga meshkujt e fortë që i kanë duart e lidhura për shumë arsye dhe me shumë fije. Përkundrazi në LDK veprohet në ekip, edhe në qeveri do të punohet ashtu dhe ekzekutivi do ta ketë fuqinë dhe pavarësinë vendimmarrëse deri në fund.
“Epoka e re”: Madje z. Kurti në paraqitjet televizive po insiston se Vjosa do të bëhet kryeparlamentare.
Haziri: Pa vetëdije z. Kurti e ka hequr maskën dhe ka treguar se është autokrat. Emërimet e tilla publike janë veçori të autokratëve. Ata bëjnë me gisht, emërojnë, shkarkojnë, linçojnë dhe lavdërojnë në publik kur të kenë qejf. Emërimi i kryetarit të Kuvendit, i kryeprokurorit të shtetit, shkarkimi dhe largimi i 12 deputetëve të tij, largimet dhe ofrimet që i bënë janë tregues dhe simptoma të sjelljes autokrate. Ky vend po vuan nga tendenca e autokracisë dhe nuk bën ta rrezikojmë shkallën e demokracisë parlamentare që e kemi zhvilluar në këta dhjetë vjet si shtet i pavarur. Kultura europerëndimore që e bartë Vjosa Osmani në emër të LDK-së është kulturë e debatit, e sundimit të ligjit, e respektimit të pavarësisë së institucioneve dhe sjelljes me kompetencë karshi këtyre. Kosova nuk ka nevojë ta ndërrojë një Kadri Vesel për një Albin Kurt sepse mënyra se si sillen dhe vendosin dhe deklarohen publikisht është autokraci, është kulturë lindore e udhëheqjes së shtetit. Kosova po rrezikohet nga tendenca e kulturës lindore, por qytetarët nuk e pranojnë këtë kulturë, këtë sjellje si dhe nuk do të lejojnë që Kosova të lidhet me një nyje e cila do të jetë kërcënim për shtetin në të ardhmen.
“Epoka e re”: Këto sjellje të Kurtit e pamundësojnë një koalicion LDK-LV pas zgjedhjeve të 6 tetorit?
Haziri: Këto janë në nivel deklarativ. Ne kemi hapur një faqe të re të bashkëpunimit parazgjedhor dhe natyrisht jemi të interesuar që në pika të cilat na bashkojnë ta lëmë mundësinë dhe derën e hapur. Nuk kam çka të them më shumë nga ajo që ka thënë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, në ditën kur është vendosur që partitë të garojnë të vetme dhe jo si koalicion parazgjedhor. Apeli i tij dhe përkushtimi i LDK-së është se duhet të ndërtojnë shkallë partneriteti në mirëbesim të gjithë ata që e duan këtë shtet dhe ne jemi duke u sjellë konform kësaj me lojalitet. Nuk lejojmë të na atakohet dhe targetohet kandidatja për kryeministër vetëm se kanë frikë nga humbja. As lideri i PDK-së, as i LV-së dhe as liderët e tjerë nuk e kanë mbështetjen që sot e ka Vjosa Osmani dhe LDK-ja në terren. Ky masivitet dhe kjo pritje po ndërtohet në besim të plotë mes nesh dhe qytetarëve.
Suksesi dhe fitorja e LDK-së që do të ndodhë më 6 tetor iu atribuohet qytetarëve të Kosovës. Falë rikthimit të besimit të tyre në LDK dhe në ofertën e saj, kjo parti politike mbetet gardiane e republikës që është nderuar me mundin e qytetarëve të saj brenda dhe jashtë vendit, si dhe me ndihmën e miqve në krye me ShBA-në, pa të cilën nuk mund të imagjinohet e nesërmja dhe e ardhmja e Kosovës. Mirëpo në këto vitet e fundit janë tensionuar marrëdhëniet me mikun më të madh, ShBA-në, me partnerët më të mëdhenj evropianë, si dhe me aleatin më të madh ushtarak që ende është duke e ruajtur paqen në Kosovë e cila është arritur me mund, sakrificë dhe gjak. LDK-ja do të jetë siguria politike e zbatimit të ligjit. Respektojmë funksionimin e gjykatave, të prokurorisë, policisë, por do të punojmë që t’i largojmë duart e gjata të atyre që e kanë kapur shtetin me çdo kusht. Vjosa Osmani e ka lirinë e plotë që ato duar t’i shkurtojë njëherë e përgjithmonë dhe t’i nxjerrë nga thesi i madh i buxhetit të shtetit që i kanë vendosur shumë njerëz në vitet e fundit.
“Epoka e re”: Është prioritet i qeverisë suaj relaksimi i raporteve me partnerët ndërkombëtarë?
Haziri: Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime të rregullta pune me partnerët tanë më të mëdhenj Uashingtonin, Brukselin, Berlinin dhe qendrat kryesore politike. Miqtë tanë nuk duhet t’i përziejmë në fushatë zgjedhore sepse ata janë miq të popullit të Kosovës dhe jo të partive politike. Miqësia e popullit të Kosovës me popullin amerikan është më e shenjtë se gjithçka tjetër. Qeveria e LDK-së, e udhëhequr nga Vjosa Osmani, do ta rikthejë në mirëbesim të plotë partneritetin si dhe do t’i koordinojë të gjitha veprimet në interes të shtetit me miqtë e saj sepse ata janë mbështetësit më të mëdhenj të këtij populli.
“Epoka e re”: Z. Haziri, miqtë e Kosovës po kërkojnë që pas zgjedhjeve ta heqë taksën dhe ta vazhdojë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë. A do ta bëjë LDK-ja një gjë të tillë nëse i fiton zgjedhjet?
Haziri: Dialogu edhe me Kushtetutë edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese i takon Qeverisë së Kosovës. Kryeministrja e ardhshme e ka platformën e gatshme dhe Kuvendi i Kosovës është organi ku do të ndërtohet konsensusi. LDK-ja do të angazhohet për ndërtimin e konsensusit në nivel kombëtar për procesin e dialogut dhe jo me formula artificiale jashtinstitucionale sepse ato nuk i zgjidhin çështjet e rëndësishme siç është dialogu dhe të tjerat.
(Shqipe HETEMI)