Vjosa Osmani merr çmimin M100

12 shtator 2024 | 23:16

Në një ceremoni solemne, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është nderuar me çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium në Potsdam të Gjermanisë, duke u bërë kështu liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike.

Ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë, Rudolph Scharping, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani nderohet me këtë çmim si një personalitet që ka inspiruar me punën e saj të palodhshme në forcimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe për të drejtat e njeriut, vlerave euroatlantike, si dhe barazinë e të drejtat e grave.

“Presidentja Osmani angazhohet vazhdimisht për lirinë dhe demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Ajo vazhdon rrugën e paraardhësit të saj të madh Ibrahim Rugovës. Trashëgimia politike e presidentit Rugova ruhet në personalitetin e saj dhe se, siç thuhet në Kosovë, ajo vazhdon të jetoj në frymën e rugovizmit. Çmimi M100 për Media nuk është vetëm një njohje për arritjet e së kaluarës, por edhe një inkurajim për të ardhmen. Na kujton se udhëheqja ka rëndësi, se guximi dhe bindja mund të bëjnë ndryshime dhe se lufta për demokraci, drejtësi dhe barazi është një luftë që ia vlen të zhvillohet. Rruga e presidentes Osmani është e gjatë dhe e jemi të bindur se ndikimi i saj do të zgjasë përtej kufijve dhe brezave falë largpamësisë dhe integritetit të saj”, ka thënë Scharping.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani në një fjalim emocional ka thënë se populli i Kosovës do të jetë gjithmonë kampion i demokracisë dhe do të punojnë që gjeneratat e ardhshme të kenë një jetë më të mirë. Ajo ka vlerësuar edhe rolin e Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë.

“Në këtë përpjekje, vlera e aleatëve dhe partnerëve tanë më të afërt është e domosdoshme. Kosova e ka mësuar nga dora e parë fuqinë transformuese dhe ekzistenciale të aleancave të forta. Ne jemi ata që jemi sot sepse, në vitin 1999, Gjermania, së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s, u mblodhën në mbështetje të luftës sonë çlirimtare për t’i dhënë fund regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Më 24 mars 1999, avionët e Bundeswehr-it iu bashkuan fushatës ajrore të NATO-s për të ndalur vuajtjet dhe shkatërrimet që po shpaloseshin atëherë në Kosovë. Ministër Scharping, çfarë tjetër mund të përshkruajë më mirë atë që po kalonim atëherë fjalët në librin tuaj: “Wir dürfen nicht vergessen” (vir dyrfen niht fergesen) (“Ne nuk duhet të harrojmë”). Dhe ne nuk do ta bëjmë kurrë. Ne do të kujtojmë gjithmonë, sepse si nuk mundemi? Si nuk mundemi? Ne jemi një brez fëmijësh që u rritëm në një sistem të ngjashëm aparteidi që vazhdoi të shndërrohej në një luftë gjenocidale kundër ekzistencës sonë. Pra, ai vendim në vitin 1999 shënoi me të vërtetë një pikë kthese vendimtare në politikën e jashtme të Gjermanisë dhe në historinë e vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut. Shembulli juaj i tregoi botës se përballë vështirësive, demokracitë qëndrojnë të bashkuara”, ka thënë Osmani.

Ajo ka falënderuar Gjermaninë për praninë e trupave të saja në kuadër të KFOR-it si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, teksa ka folur edhe mbi ambiciet e Kosovës për aderim në të ardhmen në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Ndryshe, nominimi i Osmanit është bërë nga juria e Forumit. Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane.

Laureat i këtij çmimi për 2024 është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra.

Ndryshe, deri më tash me këtë çmim janë nderuar edhe personalitet tjera të njohura botëror si Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane./KSP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj…