Vjosa Osmani në Mitrovicë: Kosova duhet të drejtohet nga politikanë të ndershëm
Kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani, ka vizituar sot qytetin e Mitrovicës, ku është takuar me aktivistë të kësaj partie.
“Shumë nga ju, aktivistë shumëvjeçar të Lidhjes Demokratike, më mbani mend si fëmijë, e shumë nga ju të rinj e të reja si bashkëudhëtare në rrugën e pandalshme të Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, të cilën e trasuan edhe secili nga prindërit tanë, për ta bërë Republikën tonë, të fëmijëve të tyre, e nipërve e mbesave tona, një shtet me të cilin secili do të krenohemi. Asnjëherë me mashtrim, por gjithmonë me vetmohim”, ka thënë ajo.
“Sot, jam këtu, sic e thashë në fillim, që t’u drejtohem juve, bashkqytetarëve të mi të qytetit të harruar, grave e burrave, të rinjve e të rejave, minatorëve, të gjithë atyre që e ndjenë veten se u harruan nga Qeveria e kaluar, sepse nuk kishin kohë të merreshin me juve, por e bënin kokrrën e qejfit për veten e tyre – Ky vend, ky shtet, kjo Republikë, është e qytetarëve dhe pikë”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka shtuar se ky shtet nuk është i asnjë politikani dhe i asnjë partie politike.
“Prandaj, i kam hyrë kësaj rruge me nderin e madh, me besimin e plotë, që si kryeministre e juaja, por, edhe në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ta kemi një detyrë kryesore: që shtetin e kapur nga partitë e pushtetit, t’ua kthejmë juve, përfundimisht. Dhe, mbajeni në mend: Nuk ka asgjë në botë, veç vdekjes, që na e ndalë këtë rrugëtim”, ka theksuar Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se edhe miqtë tanë duan që Kosova të drejtohet nga politikanë të ndershëm, kredibil, dhe siç thotë ajo “të cilët Kosovën tonë e duan po aq sa secili qytetar i këtij vendi. Nuk e duan për veten e tyre, por për të mirën e juaj. Dhe, ju e dini që kjo është e mundshme, vetëm nëse e bëjmë ndryshimin e madh”.