Vjosa Osmani nuk ia vazhdon kontratën Walkerit
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker në një intervistë për T7, ka thënë se ai ka pritur një telefonatë nga shefja e shtetit.
Ka muaj që është duke e pritur një telefonatë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Por ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, gjithë këtë kohë nuk është kontaktuar nga shefja e shtetit.
Ani pse Vjosa Osmani më 11 dhjetor përmes një komunikate për media kishte deklaruar se ka vullnet të vazhdojë bashkëpunimin me William Walker edhe pse kontrata me fondacionin që mban emrin e këtij të fundit nuk ishte vazhduar.
Megjithatë që nga viti i kaluar, Osmani e Walker nuk kanë kontaktuar mes vete.
Miku i shqiptarëve në një intervistë për T7, ka thënë se ai ka pritur një telefonatë nga shefja e shtetit.
“Sa i përket pyetjes së parë, jo, unë nuk e kam diskutuar këtë me presidenten Vjosa Osmani dhe nuk kam komunikuar me të që para zgjedhjeve, atëherë kur doli storja se ajo në njëfarë mënyre e ndërpreu kontratën me Fondacionin. Mendoj se ajo ka qenë shumë e zënë me garën zgjedhore dhe me negociatat për formimin e Qeverisë së re. Tani ajo është presidente, dhe siç thashë edhe më herët nuk kam folur me të që nga biseda e parë dhe në njëfarë mënyre kam pritur që ajo të më telefonojë”, ka thënë Walker.
Walker kujton se në bisedën që pati me Osmanin, pas raportimit të T7 se kontrata me Fondacionin nuk ishte vazhduar, shefes së shtetit i kishte thënë se do bëjë çdo gjë që të ndihmojë atë në qeverisjen e saj.
“Atëherë kur fola me të, unë i thashë se i dëshiroj asaj fat, unë mendoj se ajo mund të jetë pjesë mjaft pozitive në progresin e Kosovës, një presidente grua, një grua shumë e mençur dhe i thashë asaj se do të bëjë çdo gjë që është e mundur që të ndihmojë qeverisjen e saj të ketë sukses dhe kjo ofertë qëndron ende, por siç thashë edhe më herët ne nuk kemi folur që para zgjedhjeve”, tha ish-ambasadori Walker.
Që nga dita e enjte T7 ka dërguar pyetje në adresë të Presidencës, për të marrë përgjigje në lidhje me atë se a ka tashmë një kontratë të re mes dyshes Walker – Osmani dhe a pritet që të ketë bashkëpunim mes tyre, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Lobimin për Kosovën, ish-ambasadori William Walker, së fundi e bënte përmes nnjë kontrate të nënshkruar në gusht të vitit të kaluar mes zyrës së Presidentit të Kosovës, dhe Fondacionit të ambasadorit William Walker.
Një kontratë e tillë mes Presidencës e Fondacionit të ambasadorit, nuk është më në fuqi.