
Vjosa Osmani nuk ka pranuar të jetë në krye të qeverisë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka dhënë hollësi për procesin e nominimit të kandidatit të LDK-së për kryeministër. Ai ka thënë se nuk e ka parë veten në krye të qeverisë që pritet të ndërtohet pavarësisht prej ofertave që ka pasur nga kreu i LDK-së.
“Emri im e as profili im nuk përshtatet me këtë kabinet qeveritar. Nuk është se më kanë lutur shumë, por e kam bërë të ditur me kohë”, tha ai.
Ai thotë se edhe në zgjedhje e ka mbështetur kandidaturën e Vjosa Osmanit pa dashur që vetë të jetë pjesë e proceseve zgjedhore në këto kohë.
Nënkryetari i LDK-së thotë se, pavarësisht se qeveria është rrëzuar, Vjosa Osmani ka legjitimitet të plotë për të qëndruar në krye të Kuvendit.
Haziri thotë se, megjithatë, koalicioni i ri nuk është punë e kryer pavarësisht se LDK-ja ka besim se do të arrihet. “Unë kam preferuar një gjithëpërfshirje në proceset që po kalon Kosova, por kjo nuk nënkupton se PDK do të jetë pjesë e Qeverisë”, thotë Haziri në “Debat plus”.
Nënkryetari i LDK-së thotë se elektorati ka pritur që një nga tre emrat të ishin drejtues të qeverisë.
“Është përfolur emri im, i Kujtim Shalës dhe Vjosa Osmanit si emra potencialë që mund të përballen me procese të rënda. Vjosa Osmani ka dashur të vazhdojë me konsistencën e saj politike dhe nuk ka pranuar të jetë në krye të qeverisë. Zoti Shala dhe unë nuk pranuam”, ka thënë Lutfi Haziri.