Vjosa Osmani takon zëvendëspresidenten amerikane, Kamala Harris
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër, është takuar me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.
Osmani ka thënë se zëvendëspresidentes Harris i përcolli mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme.
Në nisje të samitit, Osmani është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe liderë të tjerë evropianë.
Osmani paraprakisht është pritur nga presidentja e Zvicërs, Viola Amherd dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani potencoi se në Samitin e Paqes janë të përkushtuar për të mbështetur lirinë e Ukrainës.
“Në Zvicër, me Presidenten zvicerane, Viola Amherd, presidentin ukrainas, Zelensky dhe liderë të tjerë nga e gjithë bota. Në jemi këtu për të përkushtuar mbështetjen tonë për lirinë e Ukrainës”, shkroi Osmani në X.
Samiti për paqe për Ukrainën, po mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.