Vjosa Osmani viziton Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. 5
Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi priti sot në vizitë në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr 5, kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe përfaqësues të UNICEF-it.
Këtë javë ka rifilluar shërbimi i vaksinimit të rregullt në të gjitha qendrat e mjekësisë primare në Prishtinë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë me dije se sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, me mbështetjen e UNICEF-it kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse për fëmijët.
“Në Qendrat e Mjekësisë Familjare të cilat shërbimin e vaksinimit e kanë të përbashkët me shërbimet tjera, kemi vendosur tenda ku do të ofrohet shërbimi i vaksinimit. Ndërsa Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe disa Qendra kanë hyrje të veçantë për këtë shërbim dhe vaksinimi do të bëhet brenda objektit”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se vaksinimi i rregullt është i rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve dhe kryhet sipas programit dhe skemës së obligueshme për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
(Qendresa Rama / Epoka e re)