Vjosa Osmanin e pret fati i Shpend Ahmetit
Avokati Dastid Pallaska ka thënë se Vjosa Osmani do të gabonte shumë nëse futet në vallen e Vetëvendosjes.
Pallaska në RTV Dukagjini ka thënë se Vjosa Osmani e ka tepruar kur ia ka ndalur fjalën Driton Selmanajt. Ai thotë se asnjë votues i Vjosa Osmanit nuk mendon se ajo duhet t’i imitojë sjelljet e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Zonja Osmani duhet ta dijë se çfarë ndodh me njerëzit që i afrohen Vetëvendosjes dhe këndojnë këngën e Vetëvendosjes për një kohë dhe fitojnë popullaritet të jashtëzakonshëm, e më pas edhe fitojnë poste publike nga ai popullaritet. Por, në momentin kur shkëputen nga Vetëvendosje, i pret fati i Shpend Ahmetit”, ka thënë Pallaska, duke kujtuar atë çfarë i pati ndodhur Shpend Ahmetit pas largimit nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Persekutim ma brutal politik nuk ka pësuar asnjë politikan në Kosovë nga njerëzit që kanë lartësuar vet atë. Ai partneritet me Vetëvendosjen është toksik. Zonja Osmani mund ta ketë fatin e njëjtë si të Shpend Ahmetit nëse hyn në atë valle”, ka thënë Pallaska, ndërsa ka shprehur keqardhje nëse, sipas tij, një potencial si Vjosa Osmani përfundon në Vetëvendosje.