Vjosa Osmanit fqinjët i lanë një mesazh në ashensor
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 82 vota për votuan mbrëmë rrëzimin e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.
Rrëzimi i qeverisë ndodhi pas inicimit të mocionit të mosbesimit nga LDK-ja, mocion ky i cili u mbështet nga 44 deputetë.
E kundër këtij mocioni dhe rrëzimit të qeverisë në këtë kohë kur vendi po përballet me pandeminë e COVID 19 ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani dje në seancën e Kuvendit mbajti një fjalim të gjatë, në të cilin u deklarua se do të votojë kundër mocionit. Madje ajo tha se është edhe kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it dhe se nuk do ta thyejë besimin e qytetarëve me asnjë çmim.
E kjo deklaratë e saj ka bërë që fqinjët e saj t’i lënë një mesazh falënderues.
Bashkëshorti i Osmanit, Prindon Sadriu, ka publikuar në “Facebook” letrën me mesazhin falënderues që fqinjët i kishin lënë Vjosës.
Në letrën e vendosur te lifti i banesës ku jeton Vjosa Osmani shkruhej: “Faleminderit Vjosa” dhe bashkë me të ishte edhe një lule.