Vjosës i duhet distancim i shpejtë dhe i zëshëm nga Albini
Visar Ymeri vlerëson se presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, i duhet të bëjë distancim të shpejtë dhe shumë të zëshëm nga kryeministri Albin Kurti, siç thotë ai, me shpresën se do ta ruaj sado pak figurën e vet. Këto komente Ymeri i ka bërë në një intervistë për portalin “FrontOnline”, duke shtuar se përplasja mes presidentes dhe kryeministrit të Kosovës ka filluar tash e një kohë të gjatë.
“Përplasja e Presidencës me Kurtin ka filluar tash e një kohë të gjatë. Së fundmi kjo përplasje po merr përmasa të tilla që tregojnë se kthim prapa nuk ka. Nga asnjëra palë nuk kam dëgjuar arsye të bollshme për një përplasje të tillë që të mund ta them me siguri të plotë se cili është problemi. Duket qartë që Presidentja dhe Kryeministri më nuk kanë thuaja se asnjë pikë të përbashkët”, u shpreh Ymeri.
Sipas Ymerit, ‘krisja’ e bashkëpunimit mes Kurtit dhe Osmani lidhet me raportet me partnerët ndërkombëtarë.
“Mospajtimet kryesore të tyre kanë të bëjnë me raportin me partnerët ndërkombëtar në të cilin Kryeministri ka bërë hapa shumë të mëdhenjtë drejt prishjes së raporteve gjë që është e papranueshme dhe shumë e rrezikshme për këdo që e vështron politikën në Kosovë nga një kënd më racional”, tha Ymeri.
Ai thotë se presidentja ka qenë bashkudhëtare e Kurtit në rrënimin e raporteve me aleatët por Osmani tani dëshiron të distancohet.
“Presidentja ka qenë bashkudhëtare dhe mbështetëse e Kurtit në këto momente kritike të rrënimit të raporteve dhe sjelljes së Kosovës në këtë pikë të ulët të prestigjit ndërkombëtar, dhe tash i duhet ta bëjë distancimin shpejtë dhe shumë zëshëm me shpresë se do ta ruaj sado pak figurën e vet”, theksoi Ymeri.
Ish-bashkpartiaku i Kurtit tha se interesi personal i dy akterëve politik mund të jetë vënë para atij të Kosovës.
“Nëse kjo përplasje ka për qëllim interesin e Kosovës, atëherë do të ishte e mbështetshme. Kam dronë që edhe në këtë rast më shumë ka gjasë që interesi personal i akterëve politik (Presidentes dhe KM) të jetë vënë para atij të vendit”, potencoi Ymeri
Kujtojmë se në një intervistë të realizuar të dielën në “Kallxo” ka nxjerrë në sipërfaqe pakënaqësitë dhe përçarjen mes dy liderëve kryesor politik në vend.
Presidentja sërish ka fajësuar Qeverinë për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se ka munguar koordinimi dhe sa ka qenë gabim ofrimi i Asociacionit për anëtarësim.
“Unë nuk jam pajtuar kur Qeveria e ka ofruar Asociacionin. Ka qenë gabim. Dihet kush e ka ofruar Asociacionin pesë minuta në 12:00. Nuk e kam ofruar unë, Qeveria e Kosovës”, u shpreh Osmani në Kallxo.
Edhe një deklaratë ‘thumbuese’, Osmani e lëshoi të dielën duke thënë se nuk qëndron shprehja se ‘ty të ka përkrahë Vetëvendosja’ teksa po fliste për listën e përbashkët me Kurtin në zgjedhjet e kaluara.
“Kandidimi nuk ka qenë i Vetëvendosjes herën e kaluar, ka qenë i përbashkët. Sepse kur patëm kandiduar ndaras unë i kam marrë diku 200-225 mijë vota dhe kur u bashkuam i bëmë 440 mijë. Ajo çka po them unë është që ka qenë forcë e përbashkët”.