Vladimir Putini, udhëheqësi zemërak i Rusisë po e çon botën në luftë
Joe Cummings / Financial Times
Përktheu: Agron Shala
I rritur në një banesë shteti në Leningrad, Vladimir Putinit të ri i pëlqente që me shkopinj t’i ndiqte minjtë nëpër shkallë. Një ditë e vërejti një mi të madh të cilin e çoi në një qosh. Papritmas miu u hodh drejt tij, që të kapërcente mbi kokën e Putinit në përpjekjen për të shpëtuar.
Presidentit rus ky incident ia dha një mësim që do ta kujtonte për dekada të tëra. “Të gjithë duhet ta kenë këtë parasysh. Asnjëherë nuk duhet ta çoni askënd në qosh”, ka thënë ai.
Të enjten Putini e urdhëroi ushtrinë e tij ta sulmonte Ukrainën nga veriu, nga jugu dhe nga lindja në atë që mund të jetë operacioni më i madh ushtarak në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Pavarësisht muajve të tërë të paralajmërimeve të perëndimorëve për planet e tij për një sulm të pacipë, Putini e cilësoi pushtimin si operacion mbrojtës – madje duke shkuar aq larg sa ta citonte një nen të caktuar të Kartës së OKB-së – duke pretenduar se Rusisë “nuk i ka mbetur asnjë mundësi për të vepruar ndryshe”.
Lufta e tij në Ukrainë shënon kulmin e rrëshqitjes në autokraci paranojake që e bën atë të krahasohet me sundimtarët më brutalë të Rusisë.
Ai veçse ishte figurë e distancuar para pandemisë, por distanca që ish-oficeri të KGB-së ndërmerr për ta shmangur koronavirusin ka limituar kontaktet njerëzore. Vizitorët perëndimorë detyrohen të ulen rreth një tavoline të madhe komike. Aleatët bëjnë dolli shampanje nga skajet e kundërta të një tepihu masiv. Edhe këshilltarët më të afërt të Putinit rrallë lejohen t’i afrohen tri metra pa kaluar javë të tëra në karantinë e testime.
Njerëzit që e kanë njohur për dekada të tëra, thonë se kjo i ka thelluar pakënaqësitë e përmbajtura ndaj Perëndimit dhe një fiksim për historinë e përbashkët të Rusisë me Ukrainën – duke e bërë atë më agresiv dhe më të paparashikueshëm se kurrë.
“Është edhe më i izoluar se Stalini”, thotë ish-këshilltari, Gleb Pavlovsky. “Në vitet e fundit të jetës së tij, Stalini nuk erdhi në Kremlin. Jetonte në shtëpinë e tij, por Byroja Politike vinte ta takonte dhe ata flisnin e pinin. Putini nuk e ka këtë veti. Është i izoluar aq sa njeriu mund të jetë. Dhe, në atë situatë, çështjet racionale bëhen irracionale”.
Ideali romantik për t’i shërbyer vendit të vet e tërhoqi Putinin, tashmë 69 vjeç, t’i bashkohej kundërzbulimit të KGB-së në fund të viteve 1970. Megjithatë, pa kaluar shumë kohë u përball me rrëshqitjen e gjatë dhe të zymtë të Bashkimit Sovjetik drejt kolapsit. I dislokuar në Dresden të Gjermanisë Lindore, i pafuqishëm shikonte sesi regjimet komuniste në Evropën Lindore po binin një nga një, ndërsa lëvizjet nacionaliste në vendlindje e shtynë Mikhail Gorbachevin ta hapte vendin.
Një natë, menjëherë pasi Muri i Berlinit ra në vitin 1989, Putini doli nga selia e KGB-së për t’u përballur me një turmë të zemëruar dhe më pas i kërkoi mbështetje një njësie sovjetike që kishte pranë. Përgjigjja e përndiqte prej vitesh. “Nuk mund të bëjmë asgjë pa një urdhër nga Moska. E, Moska po hesht”, kujton ai. “E kisha ndjenjën se shteti nuk është më. Ishte e qartë se BRSS-ja është sëmurë me sëmundje vdekjeprurëse, të pashërueshme e të quajtur paraliza e pushtetit”.
Kur u kthye në Rusi, Putini u largua nga KGB-ja dhe u ngrit shpejt në grada si ndihmës i besuar i dy liderëve më të rëndësishëm demokratë të Rusisë – kryetarit të bashkisë së Shën Petersburgut, Anatoli Sobchak, dhe Boris Yeltsinit, presidenti të parë të vendit.
Pasi Yeltsini papritmas e emëroi Putininin si pasardhësin të tij – në natën e Vitit të Ri në vitin 1999 – Putini u përpoq të rivendoste fuqinë që Rusia kishte humbur. Në shtetin e vet nisi një fushatë brutale për t’i nënshtruar separatistët në Çeçeni, i gjunjëzoi mediat dhe i dobësoi oligarkët e vendit. Por, jashtë vendit fillimisht kërkoi aleancë me SHBA-në, duke e pyetur Bill Clintonin nëse Rusia mund të bashkohej ndonjëherë me NATO-n e, pas sulmeve të 11 Shtatorit, duke ofruar mbështetjen e tij për luftën e George W. Bushit kundër terrorit.
“Në thelb donte të ishte si nënkryetar i një bordi”, thotë Samuel Charap, politolog në “Rand Corporation”. “Nuk duhet që … të ndryshoni ligjin tuaj të peshkimit që të përputhet me atë që ju thotë Brukseli – thjesht e zini një ulëse në tryezën e burrave të mëdhenj”.
Sipas një ish-zyrtari të lartë rus, lutjet e Putinit ranë në vesh të shurdhër duke i shkaktuar hidhërim për atë që ai e shihte si refuzim të Perëndimit për ta marrë seriozisht. “Është faji i tyre. Ata duhet të na kishin mbështetur dhe të na kishin integruar në botë, por punuan kundër nesh”.
Momentet e kthesës kryesore erdhën më 2003 dhe më 2004. Putini e burgosi Mikhail Khodorkovskyn, atëherë njeriun më të pasur të Rusisë, ndërkohë që u bë gjithnjë e më i pakënaqur ndaj ShBA-së për luftën në Irak, për zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore dhe për mbështetjen për “revolucionet me ngjyra” në shtetet ish-sovjetike. Moment që veçanërisht e lëndoi është Revolucioni Portokalli në Ukrainë ku protestat përmbysën zgjedhjet dhe fitoren me hile të kandidatit të mbështetur nga Moska.
“Frika e humbjes së hapësirës post-sovjetike për shkak të zgjerimit të NATO-s u lidh me frikën e humbjes së fuqisë së tij”, thotë Alexander Gabuev, anëtar i lartë në Qendrën “Carnegie” në Moskë.
Gradualisht nisi ta shfaqte anën revanshiste. Ish-ndihmësit e Mikheil Saakashvilit, liderit të “revolucionit me ngjyra” në Gjeorgji, dyshuan se diçka nuk ishte në rregull në një takim në vitin 2007, kur Putini u ankua për “Muzeun e Pushtimit Rus” të Tbilisit e kur ia kujtoi atij se gjeorgjianët tjerë, si Stalini dhe Beria, ishin në majat e pushtetit sovjetik.
Saakashvili bëri shaka: “Pse nuk e hapni një Muze të Pushtimit Gjeorgjian në Kremlin”? Ndihmësit e tij mezi morën frymë nga frika e reagimit të ashpër të Putinit.
Zemërimi i Putinit ndaj ShBA-së dhe NATO-s doli në pah kur Ukraina dhe Gjeorgjia më 2008 aplikuan për t’u bashkuar me Aleancën. Ai e paralajmëroi Bushin se, sipas hesapeve ruse, Ukraina nuk ishte “as shtet i vërtetë”. Megjithëse NATO ofroi vetëm garanci të paqarta nëse vendet do t’i bashkoheshin përfundimisht Aleancës, kjo ishte e mjaftueshme për ta shtyrë kryeministrin e atëhershëm të niste një luftë shkatërruese pesëditore kundër Gjeorgjisë dhe t’i dërgonte trupat atje për të pushtuar dy rajone kufitare.
Por, reagimi i heshtur i Perëndimit, i ndjekur nga përpjekja e ShBA-së për të rivendosur lidhjet me Rusinë, nënkuptonte se përdorimi i forcës nga Putini “nuk u trajtua sa duhet me vendosmëri”, thotë Kadri Liik, anëtar i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. “E, kjo e krijoi situatën ku gjërat u përkeqësuan për keq e më keq”.
Në mendjen e Putinit u ndërthur frika nga cenimet që mund t’i bëhen nga Perëndimi dhe nga kryengritja e brendshme. Në dhjetor të vitit 2011 e akuzoi ShBA-në për “dhënien e sinjalit” për protestat që i paraprinë kthimit të tij në Presidencë, e më pas e përshkroi revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë si “grusht shteti të armatosur” duke e shtyrë atë të pushtonte Gadishullin e Krimesë.
Kjo e dëmtoi rëndë pozitën globale të Rusisë, por shkalla e mbështetjes për Putinin në vend u rritë për mbi 80 për qind. Me pak kundërshtime kuptimplota, oreksi i tij për aventurizëm u rrit – duke kulmuar me një ndërhyrjen ushtarake të vitit 2015 që e ndryshoi valën e Luftës Civile në Siri.
“Putini është mësuar të jetë njeri me fat. Kjo gjë është shumë e rrezikshme për një kumarxhi, sepse fillon të besojë se fati është në anën e tij”, thotë Pavlovsky. “Kur e luan ruletin rus, ndjen se Zoti është në anën tënde derisa nuk të kërcet plumbi”.
Teksa rrethi i Putinit u bë më i kufizuar, pamja që ai merrte për botën u shtrembërua edhe më shumë. Ai dhe më të besuarit e tij nxirrnin gjithnjë e më shumë teori të çuditshme konspirative se Perëndimi ishte i prirë të shkatërronte Rusinë përmes çdo gjëje, që nga martesat e homoseksualëve e deri te aktivisti kundër korrupsionit, Alexei Navalny.
“Përfundoni në kurth, sepse rrethi juaj i brendshëm përpiqet t’ju tregojë vetëm lajme të mira dhe ato që përshtaten me pikëpamjet tuaja. Paramendojeni Putinin duke e diskutuar luftën në Ukrainë me gjeneralët e tij – ata do të bërtasin me entuziazëm: ‘Po, ne mundemi! Askush nuk do të rezistojë”, thotë Tatiana Stanovaya, themeluese e grupit të analizave “R.Politik”.
Vendet perëndimore e morën si të pamundur mundësinë e negocimit me një Putin të izoluar e me vetëbesim të tepruar. Ngecën bisedimet për konfliktin e Donbasit, të ndërmjetësuara nga Franca dhe nga Gjermania.
Ukraina më pas zgjodhi një president të ri, Volodymyr Zelenskyn, i cili mbajti qëndrim më të guximshëm kundër Putinit: ish-komediani i kërkoi NATO-s ta pranonte Kievin dhe ta arrestonte aleatin më të ngushtë të Putinit atje.
“Regjimi politik i Rusisë është i një shteti të tipit mafioz ku durimi ndaj fyerjeve do të thotë se lideri e humbi autoritetin e tij”, thotë Nikolai Petrov, bashkëpunëtor në “Chatham House”. “Nuk ka asnjë mënyrë për ta pastruar këtë si duhet”,
Teksa u përkeqësua procesi i paqes, pakënaqësitë e Putinit ndaj Ukrainës dhe NATO-s dolën në shesh. Verën e kaluar i publikoi pesë mijë fjalë duke hedhur dyshime mbi të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar në formën aktuale dhe duke pretenduar se ShBA-ja po e përdorte për ta kërcënuar Moskën.
Pastaj, teksa Rusia nisi të grumbullonte trupa në kufi, Putini u tha diplomatëve që ta ruajnë “tensionin e caktuar” me Perëndimin. Kërkesat e tij që NATO të zotohet të mos e pranojë kurrë Ukrainën dhe të zhbëjë zgjerimin lindor të Aleancës do ta kishin rishkruar rendin e sigurisë së pasluftës së Ftohtë.
Në minutën e fundit, Perëndimi i shtoi përpjekje diplomatike. Por, kur Emmanuel Macroni i Francës dhe Olaf Scholzi i Gjermanisë e takuan Putinin rreth tryezës së madhe të Kremlinit, sipas ndihmësve të tyre ata u ballafaquan me përçartjet historike të një njeriu që i sulmoi pothuajse krejtësisht në kundërshtim me atë që ndodhë në botën e jashtme.
Misionet e tyre ishin të dënuara me dështim. Një ditë pasi ra dakord për një samit të ndërmjetësuar nga Macroni me ShBA-në, Putini e njohu pavarësinë e separatistëve të Donbasit me një fjalim plotë urrejtje me çka kërcënoi se do ta mbante Ukrainën përgjegjëse për çdo “gjakderdhje që pasonte”. Ishte kjo përpjekje e qartë për ta përgatitur popullsinë e Rusisë për luftë kundër “kombit vëlla” të Ukrainës – ekzistenca e të cilit në formën e tanishme, siç pretendoi ai, ishte kërcënim ekzistencialist.
“Në një moment nuk mendoi se është shtyrë aq shumë në qosh sa që mund të dalë nga ai qosh. Nga çfarë duhet të ketë frikë?”, thotë Stanovaya. “E kuptoi se një Rusi agresive dhe e frikshme është mënyra efektive për ta shtyrë botën t’ju marrë seriozisht”. /Telegrafi/