Vladyslav Khomutov, “Ylli i javës” në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 31-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Dukagjini, Vladyslav Khomutov.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Vllaznim Visoka, Murat Zejnullahu dhe Bastri Jashari. Komisioni vlerësoi se futbollisti ukrainas përveç golit të realizuar në barazimin 1:1 kundër Ballkanit, pati paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë ndeshjes.
Çmimin “Ylli i javës” për futbollistin e KF Dukagjini , Vladyslav Khomutov e ndau Valjeta Krasniqi, organizatore e eventeve në Albi Mall.
Pasi mori këtë çmim për herë të parë Khomutov u shpreh tejet i lumtur dhe falënderues për bashkëlojtarët, teksa pati falënderime edhe për të gjithë njerëzit në Kosovë për mbështetjen që po i japin vendlindjes së tij.
“Jam shumë i lumtur për çmimin. Një falënderim i madh shkon për të gjithë bashkëlojtarët e mi sepse pa ta ky trofe do të ishte i pamundur. Falënderoj po ashtu të gjithë shtabin dhe të gjithë njerëzit e klubit. Në ndeshjen e fundit kishte një numër të madh të tifozëve të cilët na përkrahen. Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë njerëzit në Kosovë, të cilët përkrahin vendin tim Ukrainën, e cila po kalon në periudhë të vështirë si pasojë e agresionit të Rusisë. E falënderoj edhe familjen time për mbështetjen që ma bëjnë nga Ukraina për çdo javë në çdo ndeshje. I kemi shumë të rëndësishme 5 ndeshjet e fundit dhe do të luftojmë deri në fund që ta jetësojmë ëndrrën e KF Dukagjinit dhe të qytetit të Klinës për Evropë. Besoj që ne do të jemi njëra nga 4 ekipet, të cilat do të garojnë në Evropë këtë edicion”, ka theksuar Vlad Khomutov për faqen zyrtare të FFK-së.