Vlera e manganit në liqenin e Badovcit, Zejnullahu: Qytetarët po blejnë ujë nga kompanitë që qeveria ua fali borxhin
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Floretë Zejnullahu, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për heshtjen ndaj shtimit të vlerës se manganit në liqenin e Badovcit.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, në seancën e sotme parlamentare, ajo ka thënë se neglizhenca e qeverisë për këtë çështje është e qëllimshme.
“Kjo situatë alaramante është pasoj e një neglizhence të qëllimshme, një paaftësi që është bërë normë në këtë qeveri që po luanë me shëndetin dhe jetën e qytetarëve të saj. A e keni dëgjuar ndonjë zyrtar të kësaj qeveria duke u deklaruar për këtë situatë të rëndë? Natyrisht që jo. Përderisa qytetarët po vuajnë, ata që janë në pushtet heshtin, sepse në këtë çështje nuk kanë mundësi për përfitime personale e të paligjshme”, ka thënë ajo.
Më tutje, ajo ka përmendur skandalin e qeverisë me ambalazhuesit e ujit.
Ajo ka bërë me dije se tani qytetarët po blejnë ujë nga kompanitë qe qeveria ua ka falur miliona euro.
“Përkundrazi, kur vije punë të kompanitë për ambalazhimin e ujit, kur janë në pyetje miliona euro, atëherë qeveria e LV-së e Albin Kurti janë prezentë kudo. Me vetëm një vendim korruptiv qeveria ua fali mbi 11 milionë euro borxhe këtyre kompanive, duke i pasuruar ata në kurriz të taksapaguese dhe duke dëmtuar buxhetin e Kosovës. Tani qytetarët e lenë pas dore duhet me ble ujë pikërisht nga këto kompani që janë privilegjuar nga ky pushtet”, është shprehur ajo.