Vlerat liberaldemokratike dhe dialogu: Pengesat ideologjike të Kurtit
Nga Adri Nurellari
Në botën tonë të trazuar, ku konfliktet dhe tensionet gjeopolitike shpesh dominojnë titujt e mediave, dialogu dhe përpjekjet për të arritur paqje janë bërë më të rëndësishme se kurrë. Kjo vlen veçanërisht për ne shqiptarët, që jemi dominuar nga debatet e lidhura me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe vërjmë me shqetësim që një marrëveshje finale gjithpërfshirëse ligjërisht e obligueshme që sjell njohjen reciproke dhe hap rrugën për anëtarësim në OKB të Kosovës, është më larg sesa ishte para një dekade. Jo vetëm kemi pasur shanse të humbura për të finalizuar procesin por kemi një regres duke patur parasysh minimin e arritjeve të arritura në Bruksel për shkak të tensionimeve e bojkotit në veri.
Këtu duhet thënë që, përveç sjelljes abuzive hegjemoniste të Beogradit (që meritojnë shkrime te tjerë të posaçme për t’u trajtuar), një ndër shkaktarët kryesorë të kësaj gjendje të nderë që ka dialogu sot, është qeveria Kurti dhe mentaliteti i prapambetur që ajo përfaqëson. Negociatat, dhe mënyra se si bëhen negociatat, nuk janë thjeshtë çështje e raporteve të forcave, e epërsisë morale, konjukturës ndërkombëtare apo aftësive negociatore, por edhe e formimit dhe bindjes ideologjike që ka lidershipi politik. Pra ka edhe një dimension më të thellë, një dimension të lidhur ngushtë me bindjet ideologjike dhe përqafimin e përbrendësimin vlerave liberal-demokratike të cilat e kane paqjen si gur themeli. Në këtë rast mund të thuhet se tendenca autokratike e Kurtit dhe qeverisë së tij si dhe simpatia për ideologjinë totalitare të Marksizmit që ka ai dhe partia e tij, përbëjnë një pengesë shumë të madhe për përparimin e dialogut në përgjithësi dhe për përfitimin e Kosovës nga procesi i dialogut në veçanti. Për më tepër, për shkak të mendësisë së tij anti-liberale, Kurti nuk ka probleme dialogimi vetëm me Serbinë, por me të gjithë ata aktorë e faktorë të brendshëm apo të jashtëm që nuk pajtohen me të apo kanë pozicione e interesa të ndryshme, gjë që e dëmton konsolidimin e institucioneve të Kosovës dhe të pozitës së saj ndërkombëtare.
Në një sistem politik që funksionon mbi parimet e liberal-demokracisë, dialogu parlamentar, arritja e konsensualitetit sa më të gjerë dhe vendim-marrja kolegjiale në përputhje me kufizimet e konstitucionalizmit, janë mjete thelbësore për të gjetur zgjidhje që respektojnë interesat e të gjitha palëve të përfshira. Liberal-demokracia lejon shkëmbimin e ideve, ballafaqimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe gjetjen e një baze të përbashkët për bashkëpunim. Ajo inkurajon debatin e hapur dhe të lirë, duke pranuar se diversiteti i mendimeve është një forcë, jo një dobësi. Lidhja e ngushtë mes demokracisë dhe paqjes është trajtuar herët në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare gjë që ka çuar në krijimin e Teorisë së Paqjes Demokratike.
tare kanë një qasje krejt tjetër ndaj dialogut dhe paqes. Në këto sisteme, pushteti është i centralizuar në duart e një individi ose një grupi të vogël autokratësh, dhe çdo formë kritike apo opozite shtypet me forcë. Dialogu shihet si një kërcënim për pushtetin e tyre, dhe paqja nuk është një objektiv në vetvete sepse këto regjime nuk e pranojnë dialogun si një mjet legjitim për zgjidhjen e konflikteve. Këta despotë që refuzojnë të pranojnë principet bazike demokratike e kanë vështirë të angazhohen në biseda të mëdha për paqen sepse iu mungon gatishmëria, mentaliteti dhe përvoja esenciale që nevojitet për arritjen e paqjes.
Këtu qëndron edhe problemi me Kurtin dhe orientimin ideologjik marksist të Vetëvendosjes që kundershtoi procesin e dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Brukseli që para 13 vjetësh, jo për një shqetësim të sinqertë për interesat e vendit të tyre, por sepse refuzojnë vetë bazën e vlerës demokratike të arritjes së një kompromisi nëpërmjet negociatave. Ashtu sikurse ishin kundër dialogut me Serbinë, në zanafillën e saj kjo organizatë ishte kundër edhe proceseve demokratike të brendshme dhe refuzonte të garonte në zgjedhje. Me protesta të dhunshme, bomba molotov, gaz lotsjellës dhe zollja kjo forcë politike ka penguar dialogun politik të brendshëm dhe ka refuzuar madje rezultatet që vinin si pasojë e funksionimit të institucioneve demokratike.
Për Kurtin protestat e dhunshme si dhe ndryshimi i regjimit politik nëpërmjet revolucionit ishin për vite me radhë mjeti i preferuar, ndërkohe që ende nuk kishte shfrytëzuar rrugët institucionale. Për shkak të botëkuptimit të ngurtë ideologjik Kurti dhe partia e ka të vështirë të pranojë që demokracia, me përqendrimin e saj në dialog, kompromis dhe respekt për diversitetin, formon bazën e qëndrueshme të bashkëjetesës paqësore qoftë mes partive të ndryshme politike dhe qoftë mes shteteve. Pamundësinë për të arritur konsensus e bashkëvepruar në diversitet Vetëvendosja e dëshmoi më së miri edhe gjatë qeverisjes jetëshkurtër në koalicion me LDK-në, ku edhe pse ndaheshin nga një deputet, Kurti sillej tërësisht shpërfillës ndaj partnerëve sikur të ishte monark absolut.
Qeveria Kurti ka dëmtuar poashtu rëndë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë mbështetësit më jetikë të ekzistencës së shtetit të Kosovës. E ka futur Kosovën në grupin e vendet të sanksionuara me BE-në ku ndodhet edhe Rusia e Bjellorusia dhe i ka acaruar si asnjëherë më parë raportet me Tiranën zyrtare. Përveçse ka dëmtuar raportet me partnerët dhe fqinjët të njëjtat probleme hasen edhe në politikën e brendshme ku qeveria Kurti ka anatemuar jo vetëm opozitën por edhe ata deputetë të Vetëvendosjes që kanë mendime ndryshe. Poashtu është armiqësuar si rrallëherë më parë me mediat, bizneset shoqërinë civile apo sindikatat (rasti më flagrant ka qenë paaftësia e negociimit të një ujdije me sindikatat e arsimtarëve e policëve). Për më tepër, qeveria Kurti vazhdimisht i ka sulmuar dhe anatemuar gjykatat dhe systemin gjyqësor të Kosovës, duke treguar shpërfillje edhe për një bosht qenësor tjetër të demokracisë liberale, që është sundimi i ligjit.
Pavarësisht se fillimisht deklaroi që dialogun do e kishte prioritetin e 7-të, në realitet dialogu i deformuar dhe konflikti i ngrirë me Serbinë ka monopolizuar jetën publike të Kosovës Mazhoranca qeveritare nuk ka ndërmarrë asnjë reformë thelbësore në drejtësi, shëndetësi, arsim apo shërbime të tjera publike, nuk ka bërë asnjë investim domethënës në infrastrukturë, energjitikë apo industri minerare; nuk ka sjellë asnjë gjë të re në fushën e artit, sportit, kulturës, shkencës apo teknologjisë. Qeverisja është e vënë totalisht në funksion të përballjes me Serbinë dhe të vetmet gjëra me të cilat krenohet ështe se sa e ashpër dhe e pakompromistë është duke u treguar me serbët si dhe sa kokëforte po tregohet me partnerët strategjikë që nxisin gjuhën e dialogut dhe mirëkuptimit. Bllokimi i investimeve kapitale po çon në kolaps ekonominë ndërsa ndjenja e pasigurisë dhe mungesës së shpresës për të ardhmen ka bërë që së paku 1/10 e popullsisë të Kosovës të ketë emigruar prej kur Kurti fitoi zgjedhjet në 2019.
Si përfundim, ngërçi i dialogut Kosovë-Serbi nuk është thjesht një çështje taktikash diplomatike por është një simptomë e një sëmundjeje më të thellë: refuzimit të qeverisë Kurti për të përqafuar vlerat liberal-demokratike që janë thelbësore për paqen e qëndrueshme. Ngërçi pasqyron një përballje më të thellë ideologjike, ku tendencat autokratike dhe mungesa e përvojës demokratike pengojnë arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Kjo qeveri, e zhytur në një mentalitet autokratik dhe ideologji të vjetruar totalitare, ka dështuar në detyrën e saj kryesore: të sigurojë mirëqenien dhe progresin e qytetarëve të Kosovës. Në vend të kësaj, ka zgjedhur të përdorë konfliktin me Serbinë si një maskë për paaftësinë e saj për të ofruar zgjidhje reale për problemet e shumta të vendit.
Për të ecur përpara, është thelbësore të pranojmë se dialogu i vërtetë kërkon një angazhim të sinqertë ndaj vlerave demokratike jo vetëm prej qeverisë por prej gjithë shoqërisë. Kërkon një gatishmëri për të gjetur gjuhë të përbashkët e arritur një ujdi, edhe kur kjo gjë kërkon kompromise të hidhura. Kosova meriton një qeveri që është e gatshme të punojë me të gjithë aktorët relevantë, brenda dhe jashtë vendit, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme që respektojnë interesat e të gjithëve duke u frymëzuar prej vlerave liberal-demokratike. Derisa kjo të ndodhë, perspektiva e një paqeje të vërtetë dhe të qëndrueshme në rajon do të mbetet një ëndërr e largët.