Vlerësim i madh për Lenjanin dhe Sadikun
Ermir Lenjani dhe Armando Sadiku kanë pasur një ditë të mirë dje, teksa kanë shënuar me skuadrat e tyre.
Anësori i majtë arriti të realizonte pas vetëm 11 sekondash lojë dhe është futur në historinë e futbollit zviceran. Goli i realizuar prej Lenjanit është më i shpejti në historinë e kampionatit. Një arsye për t’u krenuar, ndërkohë që pret tanimë të mësojë trajnerin e ri të kombëtares. Rikthimi me fanellën kuqezi është dëshirë e madhe e anësorit.
Paraqitja e mirë ka bërë që ai të përfshihet në formacionin më të mirë të javës, nga “SportalHD.com”. Mes “yjeve” është përfshirë edhe Armando Sadiku. Sulmuesi i kombëtares i befasoi të gjithë, duke i shënuar Bazelit nga rreth 30 metra. Një gol mjaft i bukur dhe Sadiku nuk ka ngurruar edhe të shfryjë, duke sharë edhe në gjuhën shqipe. Ai është përfshirë në formacionin më të mirë edhe të prestigjiozes “Blick”.