Vlerësim për pasqyrën e një kohe të lavdishme

19 janar 2023 | 20:18

Një vlerësim i shkurtër për librin: Komiteti i Deçanit (Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi)të autorit Hasan Ukëhaxhaj, – njërit nga themeluesit e kësaj lëvizjeje, mbajtur në promovimin e librit, në Prishtinë.

Prof. Dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension

Të nderuar të pranishëm mirëdita!

Sa të lumtur dhe sa krenar janë ata që nuk kanë bërë asgjë për atdheun e kombin e tyre dhe kritikojnë, shajnë, kërcënojnë e akuzojnë, ata që gjithë jetën e tyre kanë punuar, vepruar e luftuar për ta bërë kombin, për ta mbrojtur kombin e për ta çliruar atdheun. E si nuk turpërohen ata që gjithë jetën e tyre kanë punuar, vepruar e luftuar për ta bërë kombin, për ta mbrojtur kombin e për ta çliruar atdheun dhe guxojnë të hanë bukën e kombit e të shumtë edhe pa mundë të gjejnë vend në gjirin e tij, të shkojnë nëpër botë për të kërkuar të jetojnë së paku të jetojnë,meqenëse nuk kanë çfarë të bëjnë ndryshe.

Për të qeshur e për të qarë.

U shpreha kështu, sepse sot, meqenëse disa nga udhëheqësit kryesor të Kosovës, janë marrë peng dhe janë ndaluar në një mjedis paraburgimi që quhet i Kosovës, por i vendosur në Hagë, janë dukur nga ata, që mendojnë se edhe lufta e tyre dhe e bashkëluftëtarëve të tyre duhet goditur, sepse realisht ka nga ata, që e trajtojnë edhe Kushtetutën herë si këmishë e arnuar, kur u intereson dhe herë si objekt hyjnor, që nuk mund të preket për ta përmirësuar e ndryshuar sipas interesave të shqiptarëve.

Por ja që vjen i nderuari Hasan Ukëhaxhaj nga mërgimi me një pishtar të ndezur në dorë, për të ndriçuar historinë e luftës së shqiptarëve në viset e pushtuara nën Jugosllavi. Vjen pra, për të na thënë të gjithëve të bëjmë kujdes se historia nuk mund të ndërtohet sipas dëshirave, por sipas realitetit historik.

Kur Atila mbreti i Hunëve, ishte bërë shumë i fuqishëm dhe pati kërcënuar Romën se do ta pushtonte, Roma dërgoi një ushtarak që njihej me Atilën për ta vrarë. Por Atila e zuri atentatorin. Dhe pasi e pyeti a të kanë dërguar për të më vrarë e atentatori iu përgjigj po, Atila tha: Një arsye më shumë për të qenë i bindur se unë mund ta pushtoj Romën, mund ta djeg Romën, mund ta shkatërroj Romën. Ndërsa atentatori iu përgjigj: Po, ti mund ta pushtosh Romën, mund ta djegësh Romën, mund ta shkatërrosh Romën, e megjithatë Roma do të mbetet Romë. Po ti kush je? Sepse Atila ishte mbret i një populli nomad, që nuk kishte themele askund dhe ka humbur nëpër histori, ndërsa Roma edhe sot është Romë.

Sepse ka shumë rëndësi themeli. E atë themel e ka vendosur lufta e pa ndërprerë e shqiptarëve për çlirim, arsyeton Hasan Ukëhaxhaj, pavarësisht sa i fuqishëm ka qenë pushtuesi. Atë themel të cilin e kanë gatuar me gjak shqiptarët nëpër kohë, e ka bërë granit përfundimisht Lufta Çlirimtare e Kosovës, me bartësen e saj Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës; Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevë – Metvegjë e Bujanocit, që bëri sakrificën sublime për t’i treguar botës se ato treva të Kosovës Lindorejanë përfundimisht treva shqiptare; si dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që e bëri Maqedoninë e Veriut shtet edhe të shqiptarëve.

Themelet e këtyre luftërave janë aq të thella, sa që nuk ka forcë në botë që i shkul. Mua më duken shumë qesharakë dhe në themele me hunj gardhi prej druri, të gjithë ata që përpiqen të hedhin baltë mbi këto luftëra dhe luftëtarët e drejtuesit e tyre. Historia do t’i fshijë të gjithë duke ia dhënë gjithë shkëlqimin ’Romës’ përpara ’Atilës’.

Koha do të tregojë që unë kam të drejtë.

Ju tregoj edhe një episod: Në Kroaci ishin dy vëllezër. Në Luftën e Dytë Botërore, njëri ishte ustash me forcat bashkëpunëtore të fashizmit e tjetri ishte partizan me Titon.

Pas përfundimit të luftës, ai ustashi po nderohet, po respektohet, po i gjejnë punë, po siguron të ardhura të bollshme; ndërsa partizani po përbuzet, po keqtrajtohet, po lihet pa punë, po i kalon ditët në vuajtje.

Një ditë ish partizani po e pyet ish ustashin: – Mor vëlla, si është kjo punë? Unë partizan e ti ustash, luftën e fitova unë e ti e humbe atë. Pas lufta ty të solli gjithë të mirat me pushtetin tim e mua më solli gjithë të këqijat. A din të më thuash a ka shpjegim kjo punë?

– Po, – i tha ish ustashi. – Është çështje biografia kjo o vëlla. Unë e kam biografinë të mirë, se jam vëllai i partizanit. E ti e ke biografinë të keqe se je vëllai i ustashit.

E unë dua të tërheq edhe njëherë vëmendjen, për të bërë të mundur që secilit t’i jepet ajo që i takon.

Mendoj se duhet të punojnë të gjithë dhe të jenë të lumtur të gjithë. Por jo të shkohet deri atje, sa të mos vlerësohen luftëtarët dhe lufta e tyre, sepse, janë vlerat më të larta kombëtare të kohës sonë e për të gjithë rrjedhën historike. Të mos lejojmë të mësohet ai që nuk ka bërë asgjë për kombin, ta shfrytëzojë atë duke hedhur baltë mbi çlirimtarët. Dhe të jeni të sigurt, po t’i merrni një nga një të gjithë ata që përpiqen të na e zvogëlojnë luftën dhe ushtrinë, që përpiqen të ia atribuojnë botës lirinë tonë, që përpiqen të shtrembërojnë rrjedhën e luftës dhe të fitoreve; do të shikoni se janë thjeshtë shfrytëzues dhe nuk kanë asgjë kombëtare shqiptare në personin e tyre, në jetën e tyre dhe në gjenin e tyre.

Prandaj i jam shumë mirënjohës autorit të librit historik që promovojmë sot, me titull: Komiteti i Deçanit – Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi. Për të cilin redaktori i librit veprimtari dhe shkrimtari Ibish Neziri do të shprehet, ”…, pos që për lexuesit është shumë informues, për studiuesit është tabelë orientuese për secilin anëtar të këtij komiteti që derisa u ndanë nga jeta nuk e pushuan luftën për çlirimin e Kosovës,. (faqe 10)

Duke arsyetuar mbi këtë veprimtari atdhetare, organizuar në ilegalitet të plotë, me gjithë grushtet që merrte nga pushtuesi në vijimësi çdo lëvizje kombëtare që zbulohej prej tij, autori do të shprehet se: ”Lëvizja ilegale nuk u gjunjëzua një gjysmë shekulli, ndonëse veprimtarët përballeshin vazhdimisht me pranga e pas tyre edhe të tjerët… E, siç dihet, përveçse me pranga edhe me plumba. (faqe 23)

Kuptoj që kjo veprimtari atdhetare në trojet e pushtuara, siç del nga libri ”Komiteti i Deçanit”, i autorit Hasan Ukëhaxhaj, ishte orientuar drejtë, duke vlerësuar saktë gjithë jetën kombëtare të të kaluarës, si dhe duke i dhënë vlerën që i takon edhe Luftës Nacional Çlirimtare, kur trojet shqiptare të pushtuara nën Jugosllavi u rreshtuan politikisht dhe ushtarakisht në koalicionin antifashist, duke shmangur pastrimin etnik në kuadër të luftës kundër fashizmit, çka e ëndërronte dhe e dëshironte shumë Serbia.

Por, me gjithë luftën e shqiptarëve për çlirim nga nazifashizmi, nuk do të arrihej ajo çfarë shqiptarët dëshironin. Do të largohej një fashizëm, por do të vinte një fashizëm më i egër, që do të ishte fashizmi jugosllav e serb. E ky fashizëm kërkonte luftë tjetër për t’u shporrur nga trojet e pushtuara. Kështu që në hapat e asaj lufte, do të vinte edhe Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, që do të identifikohej nëpërmjet Komiteteve të Vendit, të cilët e patën si gur themeli, ose të themi si shtab të tyre të përgjithshëm Komitetin e Deçanit, prej nga buroi ideja dhe u përhap rryma në të gjitha hapësirat e tokave shqiptare në Jugosllavi.

Prandaj me shumë mirënjohje i them autorit të kësaj vepre historike, se Ju i nderuar Hasan Ukëhaxhaj, keni bërë një punë me vlerë të madhe, për të hedhur dritë mbi atë periudhë dhe për të treguar sa e madhe ka qenë ndjenja e atdhedashurisë dhe e sakrificës për lirinë. Nderim për Ju dhe veprën tuaj.

Autori do të theksojë se: ”… me vendimet antishqiptare, që u morën në korrikun e 46-s në Paris, gjysma e trojeve tona mbetën nën kthetrat e shovinistëve fqinjë. Megjithatë, kombi nuk u step, prandaj atdhetarët, të cilët u përcaktuan për ti vazhduar përpjekjet për çlirimin e trojeve të rirobëruara, e vazhduan rrugën e vetme që u kishte mbetur: konstituimin e veprimtarisë ilegale.” (faqe 35) Dhe ishte kjo rrugë, të cilën atdhetarët e trasuan me shumë forcë atdhetare, fizike, shpirtërore, sakrifice dhe bindjeje e besimi për të realizuar synimet e vizionit të lirisë dhe prosperitetit të atdheut e kombit, pa kursyer asgjë nga vetja. Ishte kjo rrugë që realisht na solli te liria, por që kuptohet me shumë dhimbje, sepse pushtuesi po nuk e detyrove asnjëherë nuk të lë të lirë. Këtë e kishin kuptuar mjaft mirë edhe themeluesit e Komitetit të Deçanit, shumicën e të cilëve unë kam pasur fatin e madh t’i njoh, e që njëri prej tyre, i dashuri Hasan Ukëhaxhaj, sot ashtu me thjeshtësi, siç ishin ata, po na e sjellë një copë histori, për ta vendosur me krenari në hapësirat historike të kombit.

Në këtë vepër tregohet me kujdes çdo detaje që shoqëronte veprimet e asaj kohe. Jepet qartë pamja e vetë kohës së vështirë, shikojmë nëpërmjet shpjegimeve, se sa vështirë ishte edhe t’i jepej një shoku a shoqeje një libër për ta lexuar, dhe çfarë, një libër i Naim Frashrit, këto që na tregon autori në këtë libër duhet të bëhen të njohur edhe te gjithë gjeneratat deri te fëmijët. Për të kuptuar se liria nuk ka mbirë si një lule në vazo, por mbi sakrifica e mbi pellgje gjaku të atdhetarëve që morën përgjegjësi e nuk kursyen asgjë për të arritur të dëshiruarën, lirinë e atdheut e të popullit shqiptar të pushtuar në këto vise të begata të hapësirave shqiptare.

Në këtë vepër, autori tregohet shumë i qartë, duke vënë në pamje gjithë veprimtarinë atdhetare nëpër kohë. Ai nuk është fokusuar vetëm te Komitetet e vendit, por tregon gjithë rrjedhën e krijimeve të organizatave ilegale kombëtare në viset e pushtuara dhe argumenton me arsyetime bindëse se në asnjë çast veprimtaria nuk është ndërprerë, pavarësisht arrestimeve dhe asgjësimit të organizatave të ndryshme atdhetare nga armiku.

Njëkohësisht, autori ka sjellë një pasqyrë të nevojshme për të treguar edhe veprimtarinë e shtetit shqiptar në Republikën e Shqipërisë në interes të çlirimit të viseve të pushtuara. Është edhe kjo pasqyrë një element i domosdoshëm, për ta vënë këtë veprimtari me këmbë në tokë, duke treguar se asgjë nuk lind nga hiqi, por pas çdo veprimi qëndron një veprim i mëparshëm ose një veprim mbështetës. Prandaj edhe autori do të evidentojë se menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ”… veprimtarët formuan formacionin e parë politiko-ushtarak, që në literaturë njihet me emrin “Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare. Si e tillë, kjo organizatë, me karakter çlirimtar, qe dhe mbeti themeli i Lëvizjes. Veprimtaria e saj jo që nuk u ndërpre asnjëherë nga raprezaljet e pushtuesit, përkundrazi, gjatë atij gjysmëshekulli spiralja e saj shënoj ngritje të vazhdueshme për të kulmuar me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duhet thënë se Lëvizja nuk mund ti arrinte ato që i arriti pa zhvillimet e gjithanshme të Shqipërisë dhe të trojeve që ajo luftonte për ti çliruar. Pra, kemi të bëjmë me një piramidë trifaqësore, maja e së cilës ka qenë gjithmonë gryka e pushkës. Prandaj, si rrugë e stolisur me akte heroike, me sakrifica të shumta në altarin e atdheut, po përpiqem që të mos i mbetëm borxh.” (faqe 35) Dhe nga sa del nga vepra e shkruar autori duket se ka bërë përpjekje që çdo aktori t’i japë pjesën që i takon, duke shmangur me kujdes çdo ndjenjë egoizmi. Prandaj edhe në libër janë evidencuar në përgjithësi një shumicë e pjesëmarrësve në këtë veprimtari ilegale për interesat e çlirimit të atdheut nga pushtuesi.

Që ky libër ka qenë i domosdoshëm të jetë në mjedisin kombëtar, për të dhënë dëshmitë historike është e qartë. Por konstatoj se nëpërmjet këtij libri autori ka bërë edhe qartësime për të korrigjuar historinë e shkruar që nuk duhet të ketë gabime. Sepse sqaron autori: ”… në faqen 360 të veprës Historia e Popullit Shqiptar IV, Tiranë, 2008, thuhet: “… Organizata tjetër ilegale quhet Fronti i Kuq Popullor dhe drejtohej nga një shkrimtar e gazetar i “Rilindjes” Jusuf Gërvalla, i cili veproi që nga viti 1980 në RF Gjermane.” (faqe 58) Kur dihet se Jusuf Gërvalla nuk ka qenë kurrë jo udhëheqës po as anëtar i asaj organizate, qartëson autori. Dhe me të drejtë sot ne duhet të tërheqim vëmendjen vetes dhe institucioneve që merren me historinë, sepse vërehen dukuri që edhe historia shkruhet sipas mendimeve dhe opinioneve e jo sipas analizës së dokumenteve. Për këtë mund të referohemi edhe tek pjesa për Luftën Çlirimtare të Kosovës në tekstet e historisë së shkollave, që jo vetëm lë për të dëshiruar, por ka edhe pasaktësi vlerësimesh e shmangie të të vërtetave, duke tentuar që edhe heronjtë të bëhen sipas fuqisë së familjeve, jo sipas rendit të vlerave.

Duke përshkruar ato çastet e proceseve të para për krijimin e Komitetit të Deçanit, autori, që njëkohësisht është edhe një nga anëtarët e këtij komiteti, thënë më saktë i pari pas Ismajl Haradinat, prej të cilit mori ftesën për të vepruar në ilegalitet në këtë lëvizje të madhe kombëtare, ka arritur me pak fjalë të tregojë forcën e karakterit të atyre personazheve historikë, që dolën mbi veten për të marrë përgjegjësi kombëtare. Dhe komunikimi është shumë i thjeshtë, sikur për punë të zakonshme: ”…, i thashë: Jam përcaktuar që të punojmë bashkë.

Atë që ia shprehte pamja e fytyrës e tha edhe me fjalë: Nga sa të kam njohur, e kam pritur këtë përgjigje. (faqe 94) Dhe kaq mjaftoi për të lidhur përjetësisht dy bashkëluftëtarë Ismajl Haradinajn me Hasan Ukëhaxhajn, të cilët nëpër sfida arritën të mbijetojnë jo vetëm fizikisht, por me gjithë veprën që krijuan, me atë shtab madhor që do të vinte deri te liria, duke përcjellë stafetën pa e lënë flamurin të bjerë në tokë në asnjë çast.

Vlen të theksoj, se në këtë vepër autori ka bërë përpjekje që të mos mbetet në borxh me asnjë njeri i cili sadopak ka kontribut në atë periudhë të krijimit të komiteteve të vendit, duke treguar me aq sa e ka lejuar koha me detaje veprimtarinë e gjithsecilit, por njëkohësisht duke dhënë edhe elementët e karakterit të gjithsecilit. Kjo pamje e bën veprën shumë të pranueshme, shumë konkrete dhe që të jep panoramën e plotë të gjithë veprimtarisë me gjithë kompleksitetin e saj dhe të kohës kur është vepruar.

Ashtu sikurse vihet në pamje edhe fakti se megjithëse kjo veprimtari ilegale dhe ky organizim atdhetar ishte një nismë vullnetare, nuk ishte dhe nuk mund të ishte diçka formale. Prandaj edhe para se të bëhet betimi e të ndërtohet struktura organike e organizatës, të gjithë vihen përballë statutit dhe programit të kësaj organizate, çka flet për një punë shumë serioze përgatitore dhe ndjenjë shumë të lartë përgjegjësie.

Atë situatë të krijimit autori e paraqet qartë dhe thjeshtë, duke u shprehur se, ”… fjala i takonte Ismailit, i cili edhe një herë i përgëzoi për vendimin që e kishte marrë secili, duke theksuar se sot ne po e formojmë Komitetin e Vendit, instancë kjo nga më të rëndësishmet në strukturën organizative të Lëvizjes. Përfundoi duke theksuar se nuk kam pse të zgjatem për këto që sapo i lexuam. Ndërkaq, për të mos u zgjatur as unë këtu, po theksoj se ndër çështjet që i trajtuam bashkërisht ishte organizimi i bashkëmendimtarëve të tjerë, sipas sistemit të tresheve, qysh theksohej në njërën nga pikat e Statutit.

Duke qenë të gjithë mësimdhënës, nuk mund ta kapërcenim as segmentin tjetër – ngritjen e vetëdijes kombëtare të nxënësve dhe jo vetëm të atyre. E përfunduam konstituimin, pra edhe mbledhjen e Komitetit pa kurrfarë buje duke u pagëzuar me emrat e rinj (pseudonimet), qysh na i qiti shorti: Ismail Haradinaj – Ora, Hasan Ukëhaxhaj – Drini, Avdullah Hasanmetaj – Shpati, Jashar Salihu – Shigjeta, dhe Shkurte Drita Kuçi – Guri…”. (faqe 103) dhe siç shihet gjithçka ishte e mbështetur dhe me këndvështrim vizionar.

Nga Statuti i Lëvizjes Nacional – Çlirimtare të Kosovës vërej se sa e qartë ka qenë rruga dhe sa të sakta kërkesat, dhe konkretisht në nenin 1 thuhet: ”Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës (LNÇK), lufton për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nanën Shqipëri, gjegjësisht për krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve të vet kombëtarë.” (faqe 104) që ka ardhur deri te betimi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa në nenin 4 shprehet standardi i anëtarësisë duke vendosur se: ”Anëtar i LNÇK-së mund të jetë çdo shqiptar dhe shqiptare që e pranon këtë Statut, i plotëson kushtet e parapara me këtë Statut, e vë interesin e kombit mbi interesin e vet dhe të familjes dhe i përmbahet me përpikëri këtij Statuti.” Prej nga secili kërkohet ta masë mirë veten, ta peshojë dhe të përcaktojë nëse është për këtë lloj veprimtarie e lufte ose jo.

Dhe ajo që është tregues i vizionit të këtyre atdhetarëve është fakti se që në atë kohë ata e kanë parë mundësinë e çlirimit vetëm nëpërmjet luftës së armatosur, prandaj edhe në nenin 9 të statutit të organizatës do të qartësojnë: ”Anëtari i LNÇK-së duhet të punojë vazhdimisht për përgatitjen ushtarake duke lexuar literaturë ushtarake, gjatë ushtrimeve paraushtarake, gjatë kryerjes së obligimit ushtarak dhe në çdo mënyrë që i vjen përdore.” (faqe 104)

Autori i librit, ka bërë edhe një analizë të thelluar dhe të kujdesshme e serioze, për vlerësimin në tërësi të lëvizjeve atdhetare në trojet e pushtuara në Jugosllavi, por në veçanti, mendoj se ka dhënë arsyetime të sakta për demonstratat e vitit 1981, për të cilat deri tani akoma vijohet të vlerësohen nga këndvështrime të ndryshme, por që ka shumë prej atyre që duan të ia lënë spontanitetit.

Ndërsa Hasan Ukëhaxhaj shprehet se ato ishin aksione të domosdoshme për të realizuar qëllimet më të nevojshme për bërjen kombëtare shqiptare. Ani pse ajo rrugë e zgjedhur ishte rrugë e vështirë, që po ta vlerësosh sipas rrëfimit të njërit nga veprimtarët e periudhës që evidencohet në libër me një fjali kupton gjithë plagët e asaj periudhe. Dhe rrëfimtarja thotë: ”Kush e ka përjetuar marrjen në pyetje në hetuesi e di sa fuqishterrëse është, …”. (faqe 135) Besoj se gjithkush mund të nxjerrë përfundimin e asaj fuqishterrjeje.

Dhe më tej veprimtarja Drita, do të rrëfejë: ”Nga gjykimi më ka mbetur parasysh pamja e Ismail Haradinajt. Në sallën e gjyqit të parin e thirrën atë. Çmimin e tërë organizimit të “Komitetit të Vendit” në kuadër të Lëvizjes e pashë që e kishte “paguar” ky atdhetar i vërtetë dhe ky frymëzues i brezave të tërë.” (faqe 136) Janë këto rrëfime të shkurtra por shumë të qarta për të kuptuar gjithçka për çfarë ka ndodhur dhe nëpër çfarë sfidash kanë kaluar luftëtarët e atyre kohërave. Për të cilët autori i librit, atdhetari dhe veprimtari i madh, luftëtari Hasan Ukëhaxhaj do të përcaktojë se: ”Liria themeli i detyrës, i përgjegjësisë, i moralit…”. (faqe 137) E për këtë kuptohet që gjithnjë do të gjenden ata që do të bartin barrët më të rënda, siç i bartën edhe ata që krijuan komitetet e vendit.

Një kapitull në këtë libër historik me shumë vlerë e zë edhe historia e grupit ”Shqiponja”, anëtarët e të cilit ishin të rinj që morën nisma e aksione nga më të ndryshmet, duke u bërë frymëzim për të gjithë rininë shqiptare të kohës e më vonë. Këta të rinj me drejtues Nasim Haradinajn do të bënin aksione shumë serioze, duke u bërë model për të rinjtë e organizimeve të mëvonshme, deri sa edhe ata vetë përfunduan si luftëtarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë vepër veç të tjerave autori Ukëhaxhaj i ka kushtuar vëmendje edhe saktësimit të çështjeve të ndryshme, për të cilat ose janë mbajtur qëndrime shkel e shko ose janë bërë vlerësime të gabuara. Dhe vlerësimi më interesant për mua duket ai i demonstratave të vitit 1981, ku autori thotë shprehimisht: ”Konkretisht, studentët janë “pronarë legjitimë” vetëm të 11 Marsit në Prishtinë, të 25 Marsit në Prizren dhe të atyre që u zhvilluan një ditë më vonë në Prishtinë.

Ndërkaq, nga ato të 1 e 2 prillit e deri te ajo e fundit gjatë asaj pranvere “pronar” i tyre është i tërë populli. (faqe 155) Duke saktësuar se: ”Në mbrëmjen e 1 prillit, përveç të tjerave, edhe amviset e qytetit të Prishtinës dilnin në rrugë për t’u dhënë bukë e ujëdemonstruesve, ato i hapnin edhe dyert e shtëpive për t’i strehuar demonstruesit, që ishin përballur me gazin lotsjellës. Se mos nuk u aktivizua i tërë personeli i mantelbardhëve për t’i ndihmuar të plagosurit. Nuk po vazhdoj me segmente të tjera”.(faqe 155) Dhe në vazhdim do të dalë në përfundimin: ”Po sovranin e kishte përgatitur dikush, jo me ditë po me muaj e vite. E ai dikushi nuk ishte kurrkush tjetër përveçse Lëvizja Ilegale.(faqe 155)

E siç po e dëgjoni të nderuar pjesëmarrës në këtë promovim të këtij libri të veçantë, unë nuk po mund të shmangem nga citimet prej librit, për faktin se goditet shenja më saktë se sa po të shprehem unë sado qartë me arsyetimet e mia. Prandaj edhe duke mos hezituar të citoj, dua të sjellë përsëri paraqitje, që edhe mua më mbushin me frymëzim kur i lexoj.

Prishtina e qytetet e tjera të Kosovës, madje dhe fshatra, në vitet e 70-ta u stolisën me trakte e pamflete, përmes të cilave popullit i bëhej me dije se liria nuk fitohet pa sakrifica, në anën tjetër, pushtuesit po ashtu i bëhej me dije se Lëvizja Ilegale po jetonte në gjirin e popullit(faqe 155 – 156).

Një deklarim shumë domethënës dhe me shumë vlerë për historinë e asaj kohe, të të sotmes dhe për të nesërmen. Ja kjo është domethënia e rezistencës dhe fuqisë çlirimtare shqiptare, se ka forcë t’i tregoj edhe vetvetes e edhe mikut e armikut se forca jonë është e pashtershme dhe se mund të përballet me çdo sfidë e të fitojë mbi të.

Ashtu sikurse duke treguar për veprimtarinë e shqiptarëve të veshur me pushtet dhe me uniformën e pushtuesit në polici, UDB e ushtri, autori bën dallimin, duke vlerësuar se jo të gjithë ishin të asaj natyre që i shërbenin pushtuesit me devotshmëri, por kishte prej tyre mjaft, që megjithëse në radhët e pushtetit me armikun e me uniformën e tij, kanë punuar e vepruar për interesat e çështjes kombëtare. E unë dua të shtoj se kjo është shumë e saktë, pasi edhe në periudhën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, ka pasur prej tyre që kanë kryer vepra të mëdha atdhetare dhe që megjithëse nuk mund të njihen e nuk mund të deklarohen, ata mbeten në radhët e heronjve të heshtur, siç i quajnë kudo në botë ata që nuk mund t’i emërtojnë, evidencojë a dekorojnë publikisht.

Dua të theksoj gjithashtu, se organizimi i sistemit të tresheve në lëvizjen ilegale, që e themeloi Komiteti i Deçanit në statutin e tij, ka qenë një organizim efikas, që nuk ka lejuar të këputet zinxhiri i lëvizjes ilegale, pavarësisht nga dëmtimet masive që ka bërë pushtuesi duke masivizuar agjenturën e tij të fshehtë. Është një organizim ky, që duhet të studiohet në vete për të nxjerrë përfundime të efektivitetit të tij.

Dhe në vijim, dua të qartësoj se libri i Hasan Ukëhaxhajt, Komiteti i Deçanit – Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, duhet vlerësuar si qendra ku filluan të përhapen idetë për ta organizuar një lëvizje sa më masive, sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më kompakte në gjithë hapësirën e viseve të pushtuara, duke krijuar komitetet e vendit në çdo zonë, siç edhe u krijuan në një hapësirë të konsiderueshme të trojeve shqiptare të pushtuara dhe duke e masivizuar veprimtarinë për të arritur deri te lufta e armatosur siç edhe u arrit.

Libri përveç historisë që zhvillimit të ngjarjeve, është shoqëruar edhe me disa dokumente, botime e intervista dhe shënime të kohës, që sjellin të freskëta qëndrimet, mendimet dhe idetë për zhvillimet në atë periudhë kohe.

E para se të përfundoj, dua të them dy fjalë për të gjithë ata që do ta lexojnë librin e do të kenë mendime se libri mund të ishte edhe më masiv e edhe më i pasur. Ju lutem mos rrini pa e shkruar pjesën e dyte, të trete e me radhë për ta pasuruar historinë. Ai që nuk e bën këtë, nuk i lind e drejta as të thotë fjalë zhvlerësuese për punën e tjetrit. Kush donë ta pasurojë punën mirë se vjen.

Për punën që ka bërë unë me shpirt e zemër e falënderoj autorin Hasan Ukëhaxhaj, për këtë shërbim të madh që i ka bërë historisë shqiptare dhe uroj të ketë jetë të gjatë e shëndet të mirë për të sjellë akoma edhe më tej pjesë nga ajo histori shumë e pasur dhe vitale.

Faleminderit të gjithëve që më dëgjuat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izedin KRASNIQI (Marrë nga magazina “Interesi nacional”, 2002) Në institucionet…