Vlerësohen arritjet e Kosovës në indeksin për liritë ekonomike
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur të hënën në një takim zëvendëspresidentin e Fondacionit Heritage me seli në Uashington D.C., Dr. James Carafano.
Në kuadër të këtij takimi, Pacolli e ka njoftuar përfaqësuesin e këtij institucioni me zhvillimet e gjithëmbarshme në Kosovë dhe përparimet e shënuara deri më tash, ndërkohë që u diskutua në lidhje me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen.
Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i Fondacionit Heritage, James Carafano, e ka njoftuar ministrin e Jashtëm Pacolli në lidhje me Indeksin për Liritë Ekonomike dhe të arriturat e Kosovës në këtë drejtim.
“Është lajm i mirë, që Kosova vazhdon të renditet relativisht lart në ranglistën botërore të Indeksit për Liritë Ekonomike dhe në vendin e dytë në rajon, pas Maqedonisë. Kjo është dëshmi serioze për krijimin e sigurisë tek investitorët botërorë, që të investojnë kapitalin e tyre në vendin tonë. Ne, duhet të punojmë edhe më shumë, që të renditemi në top vendet e para”, ka thënë numri dy i Qeverisë, Behgjet Pacolli.
/Epoka e re/