Vlerësohet bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas

15 tetor 2021 | 13:54

Në vazhdën e vizitës në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së në Pentagon, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, gjeneral Daniel R. Hokanson.

Mehaj ka falënderuar gjeneralin Hokanson dhe i ka shprehur mirënjohjen e lartë për partneritetin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, duke ia rikujtuar që muajin tjetër, do të shënohet edhe përvjetori i 10-të i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm bilateral.

“Ndër të tjera, Gjeneral Hokanson i theksova disa prej sukseseve të përbashkëta, duke u fokusuar në misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe në përgatitjet për misionin paqeruajtës të radhës në Poloni. Njëkohësisht i rikujtova se këto të arritura janë falë mbështetjes së pakursyer dhe të pazëvendësueshme të Byrosë së Gardës Kombëtare në funksion të avancimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale dhe profesionale të FSK-së përgjatë dhjetë viteve, e duke besuar fuqishëm se bashkëpunimi në të ardhmen do të thellohet akoma më shumë”, ka thënë Mehaj.

Nga ana e tij, gjenerali Hokanson, ka vlerësuar shumë lartë bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, si dhe konfirmoi përkrahjen e Byrosë së Gardës Kombëtare, për aktivitetet e përbashkëta me FSK-në, të cilat tashmë kanë dëshmuar nivelin më të lartë të profesionalizmit, prandaj ai ka vlerësuar se mbeten të përkushtuar që bashkëpunimi dhe partneriteti të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Gjenerali Hokanson ka thënë se do të vazhdojë angazhimin e Byrosë për mbështetjen e FSK-në në rritjen e aftësive dhe kapaciteteve profesionale dhe operacionale, e sidomos theksoi rëndësinë e aspekteve të ndërveprimit ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së për operacione në misionet paqeruajtëse dhe të stabilitetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i shoqëruar edhe nga nënkryetarja…