Vlerësohet mbështetja holandeze për sistemin prokurorial
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems dhe koordinatoren regjionale të Rrjetit për Sundimin e Ligjit për ambasadat holandeze në Ballkanin Perëndimor, Dicky Methorst – de Bie, me të cilat ka biseduar për një sërë temash, që ndërlidhën me fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Kryesuesi Hyseni e ka njoftuar ambasadoren Willems për angazhimet konkrete të Këshillit Prokurorial të Kosovës për realizimin e tre objektivave kryesore; llogaridhënien profesionalizmit dhe transparencës në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në Kosovë.
“Ne, me ndihmën e Ambasadës holandeze dhe ekspertëve të saj, kemi hartuar disa dokumente të rëndësishme, siç janë Kodi i Etikës për sjelljen e prokurorëve dhe Komentari i këtij kodi, të cilat po ashtu mbështesin fuqishëm zbatimin praktik të integritetit, dinjitetit, pavarësisë, paanshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies, gjë që, në fakt, kemi krijuar mekanizma konkretë për zbatimin e parimeve të drejtësisë në Kosovë, andaj, jemi shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj”, ka thënë Hyseni.
Ambasadorja Willems ka përcjellë mesazhe inkurajuese për angazhimin dhe zbatimin e ligjshmërisë në Kosovë, duke thënë se është shumë e rëndësishme që sistemi prokurorial kosovarë të përkrahet për të siguruar procese të drejta dhe të paanshme.
“Mbretëria e Holandës ka gjetur mundësinë për t’ju përkrahur dhe do të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen për realizimin e objektivave dhe standardeve të sistemit prokurorial të Kosovës”, ka theksuar Willems.
Kryesuesi Hyseni dhe ambasadorja Willems janë pajtuar që të punojnë bashkë për realizimin e projekteve të ndryshme, duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet dy vendeve.
/Epoka e re/