Vllaznia shkarkon trajnerin Brdariç
Thomas Brdariç nuk është më trajner i Vllaznisë. Drejtuesit e klubit kuqeblu vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me teknikun gjerman menjëherë pas ndeshjes me Bylisin, ndërsa tani drejtimi i skuadrës së Vllaznisë i është besuar Elvis Plorit.
Ky i fundit ishte ndihmësi i parë i trajnerit gjerman që në fillim të sezonit dhe të dy kanë pasur një bashkëpunim mjaft të mirë në krye të pankinës kuqeblu, por tani i takon 42-vjeçarit shkodran të nxjerrë nga kriza klubin.
Thomas Brdariç mori drejtimin e Vllaznisë gjatë verës dhe punoi mjaft mirë për të ndërtuar një skuadër që për 15 javë bindi edhe më skeptikët me lojën e bukur e rezultatet e arritura në fushë, duke u shkëputur me 10 pikë diferencë në krye të renditjes.
Megjithatë në 9 ndeshjet e fundit kuqeblutë kanë fituar vetëm përballjen me Apoloninë dhe kanë barazuar 4 takime e kanë humbur po kaq. Aktualisht Vllaznia kryeson renditjen me 42 pikë, por mund të humbasë që këtë fundjavë kreun.