Vlora Hyseni merr drejtimin e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë

04 prill 2023 | 13:54

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e Vlora Hysenit, në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).

Ish-zëvendësdrejtoresh e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, Hyseni, u propozua të merrte drejtimin e shërbimeve sekrete shqiptare, më shumë se dy javë më parë, nga kryeministri Edi Rama.

Më 17 mars, pas takimit me presidentin Begaj, për kandidaturën e Hysenit, kryeministri pati shkruar në “Facebook” se kishte “besim të plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit informativ shqiptar”.

Rama të martën ka shkruar sërish në “Facebook” për emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-i. “Tiranë – Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga presidenti i Republikës. Urime!”, ka shkruar Rama.

Shërbimi Informativ Shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.

Hyseni ka punuar disa vite në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, ku ka qenë drejtoresh e Marrëdhënieve me Jashtë e më pas zëvendësdrejtoresh e këtij institucioni nga viti 2019, për t’u shkarkuar më vonë, në mesin e vitit 2021 nga presidentja Osmani.

Ky fakt ushqeu një sërë debatesh në Shqipëri, dhe përfaqësues të opozitës, kërkuan nga presidenti Begaj, që të kërkonte informacione për shkaqet e shkarkimit të saj nga drejtimi i shërbimeve sekrete të Kosovës.

Nuk është hera e parë që në institucionet e Shqipërisë janë emëruar, deri në nivele të ministrave, zyrtarë nga Kosova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erik ten Hag po planifikon një spastrim të pamëshirshëm këtë…