Vlorë, tërmeti ka dëmtuar disa shtëpi dhe një shkollë
Tërmeti i para dy ditëve në Qarkun e Vlorës, e që u ndie edhe në Gjirokastër, ka shkaktuar disa probleme.
Më të dëmtuara rezultojnë disa banesa në fshatin Kuç të Himarës, por situata më e rënduar është në shkollën 9-vjeçare të këtij fshati, e cila nuk do të jetë e gatshme për mësim të hënën e 7 shtatorit.
Nga të dhënat e Emergjencave Civile në këtë qark, mësohet se janë dëmtuar disa banesa, 5 prej të cilave në gjendje emergjente.
Banorët thonë se nga frika janë detyruar të strehohen te të afërmit e tyre.
Dëmtime nga tërmeti në këtë fshat u panë nga afër edhe nga prefekti i Qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili premtoi ndihmë të shpejtë për familjet e dëmtuara.
Sipas tij, pushteti vendor duhet të evidentojë të gjitha dëmet e shkaktuara, raporton “Tch”.
Por, në zonën e prekur më së shumti nga tërmeti me magnitudë 4.7 i shkallës Rihter ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, që bëri të ditur se do të bëhet një vlerësim sa më i shpejtë i dëmeve.