
Vodhi çantën me 4.5 milionë lekë nga një veturë në Tiranë, arrestohet 46-vjeçari
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 46-vjeçar, i dënuar më parë disa herë për vjedhje, në kuadër të operacionit të koduar “Përsëritësi”.
Sipas njoftimit zyrtar, Gurjan Trajani (Mitro) dyshohet se ka vjedhur një çantë me një shumë të konsiderueshme parash nga një automjet të parkuar në zonën e Medresesë në pronësi të një gruaje me inicialet B.L. e cila ka raportuar menjëherë ngjarjen, duke vënë në lëvizje shërbimet policore.
Pas një pune intensive hetimore, bazuar në inteligjencën policore dhe metodat moderne të gjurmimit, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Gurjan Trajani (Mitro), 46 vjeç, banues në Elbasan.
Sipas euronews.al, gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit, policia sekuestroi rreth 45 milionë lekë të vjetra (një pjesë në euro dhe dollarë), të cilat dyshohet se janë përfituar nga kjo vjedhje.
Materialet në ngarkim të të arrestuarit i kanë kaluar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme ligjore.