Vodhi gurë nga qyteti antik i Pompeit, gruaja i kthen me një mesazh tronditës: Më sollën fat të keq
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Itali, ku një turiste ka vendosur të kthejë disa gurë të vjedhur gjatë vizitës së saj në qytetin antik të Pompeit në Itali.
Gruaja mori tre gurë vullkanik, por teksa i ktheu sërish ajo shkroi edhe një shënim, ku thotë se gurët i sollën fat të keq për 1 vit.
Mesazhin e gruas e ka postuar në rrjetet sociale arkeologu Gabriel Zuchtriegel duke shkruar “E dashur vizitore anonime. Gurët u kthyen në Pompei, tani paç fat në të ardhmen, apo siç i themi ne në Itali ‘in bocca a lupo”.
Në mesazhin e gruas së bashku me gurët e kthyer shkruhej:
“Nuk e dija për fatin e keq.
Nuk e dija që nuk duhet të merrja gurë.
Brenda një viti dola me kancer në gji. Jam një grua e re dhe e shëndetshme dhe doktorët më thanë se ishte thjesht “fat i keq”.
Ju lutem pranoni faljen time dhe këa gurë. Mi dispiace!”.
Kjo nuk është hera e parë që turistët kthejnë gurë të marrë nga qyteti i Pompeit, bashkë me mesazhe se kanë pësuar të njëjtin fat të keq. Kjo ka bërë që të përhapet fjala se gurët nga qyteti që u shkrumbua nga vullkani në 24 gusht të vitit 79, sjellin fat të keq.