Vokrri ngushëllon familjen Binaku
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri e ka ngushëlluar familjen Binaku më rastin e vdekjes së gazetarit sportiv, Agim Binaku.
“Familja humbi një familjar të devotshëm, RTV 21 një nga punëtorët më të zellshëm, gazetaria sportive, udhërrëfyesin dhe njeriun që shumë i dha sportit të Kosovës e FFK-ja humbi krahun më të fortë, lajmëtarin dhe sfiduesin e futbollit të Kosovës. Të gjithëve do të na mungojë përgjithmonë dhe kujtimi për Agimin do të jetë i përjetshëm”, thuhet në telegramin e kryetarit Vokrri.
Telegram ngushëllimi i kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri pa ndërhyrje
E nderuara familje e z. Agim Binakut!
Të nderuar drejtues e punëtorë të RTV-21!
Të nderuar SHGSK-së!
Lajmi për vdekjen e z. Agim Binaku, gazetarit shumëvjeçar të sportit na ka pikëlluar të gjithë neve dhe opinionin futbolldashës të Kosovës, ndaj në emrin tim, të KE të FFK-së dhe klubeve të futbollit Ju shprehim ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta.
Agimi, ishte njëra nga penat më të mprehta të gazetarisë sportive dhe jo vetëm kaq. Ishte i vyeshëm, vizionar dhe këmbëngulës në punën e tij. Kishte dhënë kontribut të madh në vitet 70-80 në Radio Prishtinë. Kontributi i Agim Binakut ishte i jashtëzakonshëm edhe në pavarësimin e sportit të Kosovës. Kur regjimi serb po mbyllte çdo dritare të informimit, Agimi gjente forcë e mbi të gjitha guxim, për të gjetur format e hapjes së dritareve të reja, përmes gazetave sportive si gazetave “Reflekse sportive”, “Top sporti” dhe më vonë në valët e Radios 21 dhe TV 21. Pas çlirimit të Kosovës. Agimi, bëhet digë edhe më e fortë e sportit e veçmas futbollit, duke qenë lajmëtari i parë i ngjarjeve të mëdha historike. Agimi ishte kryetari Shoqatës së Gazetarëve sportivë për një mandat dhe ishte nderuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për gazetari. Familja humbi një familjar të devotshëm, RTV 21 një nga punëtorët më të zellshëm, gazetaria sportive, udhërrëfyesin dhe njeriun që shumë i dha sportit të Kosovës e FFK-ja humbi krahun më të fortë, lajmëtarin dhe sfiduesin e futbollit të Kosovës. Të gjithëve do të na mungojë përgjithmonë dhe kujtimi për Agimin do të jetë i përjetshëm.
Ne ndjejmë bashkë me ju dhembjen, por ju lusim që këtë humbje e dhembje ta përballoni sa më lehtë.
Presidenti i FFK-së
Fadil Vokrri