Volker: Viti 2017, më i përgjakshmi në konfliktin e Ukrainës
I dërguari special amerikan për konfliktin në Ukrainë, Kurt Volker, ka thënë se viti 2017 ka qenë viti më i përgjakshëm në këtë rajon, sa i përket dhunës për tri vite me rradhë.
Komentet e Volker kanë ardhur pasi vëzhguesit ndërkombëtarë kanë raportuar për sulme me granata në lindje të Ukrainës, përkatësisht në rajonin Donbas.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë raportuar se tetë civilë janë lënduar dhe shumë shtëpi janë dëmtuar.
“Shume persona besojnë se në një far mënyrë kjo situatë është kthyer në konflikt të qetë, është stabil dhe kemi një armëpushim. Kinse është problem por jo krizë”, ka thënë Volker gjatë një fjalimi në Këshillin Atlantik në Uashington.
“Kjo gjë është plotësisht e gabuar. Është krizë. Ky ka qenë viti më i dhunshëm dhe nata e kaluar ka qenë një prej netëve më të dhunshme, që prej muajit shkurt apo që nga fillimi i vitit”, ka thënë ai.
Volker ka thënë përmes disa postimeve në Twitter se para “përshkallëzimit masiv”, gjatë shkeljes së armëpushimit, Rusia ka tërhequr oficerët e saj policorë nga një trup koordinues, që vepron së bashku me Ukrainën dhe ndihmon në zbatimin e armëpushimit.
Më shumë se 10,300 persona janë vrarë dhe më shumë se 1 milion të tjerë janë larguar nga zonat e konfliktit që ka nisur më 2014, në mes të separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare të Ukrainës.
Volker është emëruar më herët gjatë këtij viti si i dërguar special në këtë vend, me qëllim të nxitjes së zbatimit të marrëveshjes së arritur në mes të Ukrainës dhe Rusisë bashkë më Francën dhe Gjermaninë në shkurt të vitit 2015.
Ndryshe kjo njihet edhe si marrëveshja e Minskut.
Mirëpo Volker ka thënë se nuk është bërë ndonjë zhvillim në negociatat me Moskën.