Von Crammon thotë se nuk është koha e duhur që Kosova të aplikojë për anëtarësim në BE
Raportuesja për Kosovën nga Parlamenti Evropian, Viola Von Crammon, ka ripërsëritur se “nuk është koha e duhur” që Kosova të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Kjo, pasi sipas saj një gjë e tillë do të bllokohej nga pesë shtetet mosnjohëse të sovranitetit të Kosovës, që janë pjesë e BE-së.
Ajo këto deklarata i ka bërë pas miratimit të rezolutës së saj për Kosovën në Parlamentin Evropian, në një konferencë për media.
“Po ashtu, përkrahim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kemi bërë dallim të qartë kur kemi thënë për aplikim në BE, shkaku i shteteve të mosnjohëse. Këtë e kam thënë edhe në Kosovë”, ka deklaruar ajo.
Von Cramon ka thënë se pa arritjen e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do të mundësohet anëtarësimi në BE.
“Në raport theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve për Serbinë, që bazohet me njohjen reciproke. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë fort progresiv dhe marrëveshjet e arritura në të kaluarën po vendosen në dyshim. Po ashtu, përsërisim ftesën që gratë të përfshihen në ekipin negociator në dialog”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Kujtojmë se liderët e institucioneve të Kosovës, përkundër thirrjeve nga Bashkimi Evropian (BE), kanë bërë me dije se do të aplikojnë për anëtarësim në BE përgjatë këtij viti.
Përfaqësuesja e PE-së ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, duke thënë se po bëjnë çmos ta zhbllokojnë situatën. Von Cramon ka përmendur një momentum që mund t’ia ndryshojë qëndrimin Parisit zyrtar për lëvizje lirshëm të kosovarëve.