Von Cramon: Macroni s’dëshiron ta mundësojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, ka thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron nuk dëshiron t’ua mundësojë kosovarëve lëvizjen pa viza, ndonëse nuk ka qenë i qartë rreth arsyeve të mosmbështetjes së liberalizimit të vizave.
“Macron nuk ka qenë i qartë rreth asaj se pse nuk po e mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ne vetëm e dimë se ai nuk dëshiron të mundësojë regjim të lëvizjes pa viza për kosovarët”, ka deklaruar Von Cramon.
E ka shpjeguar për “koha.net” madje edhe një rast që ka ndodhur në PE dhe ka pohuar se partia e Macronit ka tendenca për të fshirë një rezolutë lidhur me çështjen e liberalizimit. Por, ka shtuar se Parlamenti Evropian është në favor të liberalizimit.
“Javën e kaluar, në seancë plenare të Parlamentit Evropian, partia e Macronit dëshiroi të fshinte një referencë nga rezoluta jonë, e cila i bënte thirrje Këshillit të merrte një vendim sa më shpejt të jetë e mundur. Fatmirësisht, përpjekja e tyre dështoi, shumica e madhe e eurodeputetëve votuan në një mënyrë që tregon se Parlamenti Evropian është në favor të procesit të liberalizimit të vizave. 454 persona kanë votuar pro tekstit origjinal, 160 kundër, prej tyre shumica ishin eurodeputetë spanjollë (liberalë, nga EPP-ja, dhe ekstremistë djathtistë) dhe liberalë francezë nga partia e Macronit, ndërsa pjesa tjetër eurodeputetë kryesisht nga ekstremi i djathtë. Duket mjaft qartë se kush janë ata që po e bllokojnë këtë vendim. Ata duhet ta kuptojnë se sa shumë dëm i shkaktohet reputacionit të BE-së kur ne nuk i mbajmë premtimet tona”, ka shtuar Von Cramoni.
Von Cramon, disa ditë më parë, kishte shkruar se Kosova duhet ta pyesë presidentin e Francës, Emmanuel Macronin, se pse ai ngurron që kosovarët të marrin liberalizimin e vizave.
“Siç ia kam shpjeguar edhe z. Richard Grenell, është në dorën e Këshillit të Evropës që ta trajtojë këtë çështje. Por nëse dëshironi që të keni një rol konstruktiv për këtë çështje, thërrisni në telefon dhe pyeteni presidentin e Francës, Emmanual Macron, se pse ai ngurron që të ofrojë liberalizim të vizave për Kosovën. Do të befasoheni nga përgjigjja e tij”, ishte përgjigjja e Cramonit në një debat përmes “Twitter”-it me ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili kishte kërkuar nga BE-ja liberalizimin e vizave, ashtu siç ka rekomanduar Komisioni Evropian.