Von Cramon nuk jep shpresë për vizat: Kushtet janë përmbushur, pengesë disa shtete të BE-së
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola Von Cramon, pas vizitës disa ditore në Kosovë, ka bërë me dije se ka folur me kryeministrin Albin Kurtin për dialogun, por jo diçka specifike.
Ajo ka thënë se presin që javëve të ardhshme mund të shihet një përafrim të pozicioneve ndërmjet Kurtit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe sipas saj kjo mund të bëhet përmes negociatave.
“Natyrisht se kemi folur për dialogun dhe kemi folur për procedurën e tij se si të merret me dialogun, por nuk jemi fokusuar në çështje specifike. Mendoj që në fillim të dialogut dhe asnjëherë nuk i kam takuar personalisht më përpara dhe shpresoj që në javët e ardhshme do të shohim një ngushtim të pozicioneve, një afrim të pozicioneve origjinale dhe kjo mund të bëhet përmes negociatave”, ka thënë Von Cramon.
Më tutje, ajo ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Në këtë kontekst, ajo ka thënë se Kosova i ka përmbushur kriteret për heqjen e vizave, por sipas saj këtë proces janë duke e bllokuar disa shtete të Bashkimit Evropian (BE).
“Shpresojmë se në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara dhe gjatë presidencës së Gjermanisë kemi mundur ta kemi këtë temë në agjendë derisa Kosova i ka përmbushur kushtet teknike, prandaj është çështje e Këshillit Evropian dhe në këtë pikëpamje disa shtete anëtare po hezitojnë”, ka thënë ajo, duke bërë me dije se gjatë vizitës në Kosovës është takuar edhe me përfaqësuesit e KFOR-it.
“Jemi takuar me përfaqësuesit e KFOR-it, pastaj edhe me ministrin nga Lista Serbe që ishte takim interesant në lidhje me perceptimin e minoritetit serb dhe si është bashkëpunimi me qeverinë e re. Me ndihmën e BE-së, qeveria e re ka filluar të punojë në këtë qasje dhe një prej prioriteteve është çështja e furnizimit me energji që tashmë po zgjidhet . Jam e kënaqur që publiku më i gjerë po i kupton çështjet e ndryshimeve klimatike. Ka një fokus të veçantë në edukimin mjedisor dhe pse duhet t’i mbrojmë kafshët. Pastaj pikë tjetër gjatë udhëtimit ishte Brezovica, ku kam folur me OJQ të ndryshme. Të dielën kemi shkuar në Prizren dhe është shtylla e trashëgimisë suaj dhe Prizreni është model i komunitetit multietnik, jo vetëm në Kosovë por në regjion”, ka thënë ajo.
Po ashtu, Von Cramon ka thënë se gjatë vizitës në Kosovë është takuar edhe me udhëheqësit e opozitës në Kuvendin e Kosovës dhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fund, Cramon u ka bërë thirrje krerëve institucionalë që të marrin pjesë në paradën e krenarisë si dhe të lejohet me Kodin Civil martesa e gjinisë së njëjtë.