Von Cramon reagon ndaj deklaratave të Prindon Sadriut: Po përcjell nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka reaguar lidhur me deklaratën e Prindon Sadriut, bashkëshort i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sadriu mbrëmë kishte zgjedhur t’i sulmojë mediat në një formë agresive, duke i quajtur ato “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Pas kësaj, Viola von Cramon ka deklaruar se mediat e lira janë një nga shtyllat kryesore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë të shprehen pa asnjë frikë.
“Prandaj jam duke monitoruar nga afër fushatën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, ka thënë Von Cramon.
Von Cramon ka thënë se Kosova ka shërbyer si shembull për një mjedis pluralist ku do të dëshironim të shihnim që standardet e shprehjes së mendimit të lirë të mbeten të mbështetura dhe gazetarët të mbrohen nga presioni politik.