Von Cramon: Shpresojmë të shohim dritën në fund të tunelit për liberalizimin e vizave
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka vizituar të martën Ambasadën e Kosovës në Gjermani, ku është pritur nga ambasadori Beqë Cufaj.
Pas takimit, Cufaj ka shkruar në llogarinë e vet në “Twitter” se Von Cramon është një zë i fuqishëm në Evropë i qytetarëve të Kosovës për të drejtat e tyre, raporton “Epoka e re”.
“Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka vizituar Ambasadën e Kosovës në Gjermani. Von Cramon është një zë i fuqishëm i qytetarëve të Kosovës dhe një avokuese e të drejtave të tyre në Evropë”, ka shkruar ai.
Më pas, Von Cramon ka rishpërndarë postimin e Cufajt, duke thënë se shpreson që më në fund të shihet drita në fund të tunelit sa i përket liberalizimit të vizave.
“Kënaqësia ishte e imja. Faleminderit shumë për mikpritjen në ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe për shkëmbimin e thellë për zhvillimit politike në Kosovë. Shpresojmë që ne mund të shohim dritën në fund të tunelit së shpejti për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Von Cramon.