Von Cramon thotë se raportueseve të KE-së u është thënë se qeveria s’e zbaton vendimin për manastirin e Deçanit
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit nga ana e Kosovës nuk ua bën më të lehtë anëtarëve të Këshillit të Evropës (KE) që të ecin para me aplikimin e saj për anëtarësim.
Sipas saj, raportuesve të KE-së që kanë qenë në Kosovë u është thënë se Qeveria e Kosovës nuk do ta zbatojë këtë vendim.
Von Cramon patheksuar se legjislacioni i Kosovës është në rregull, por se në zbatim është i vonuar, duke përmendur si shembull çështjen e tokës së këtij manastiri.
“Ka disa parime në Këshillin e Evropës dhe ajo që kam lexuar deri më tani nga analizat ligjore është se teorikisht, në letër, kuadri ligjor është aty, kështu që ajo që parashikon Kushtetuta nuk është e keqe, por zbatimi dhe realizimi i kuadri kushtetues është i vonuar. Ndaj me rastin e Deçanit që nuk zbatohet prej vitesh dhe mungesës së vullnetit politik për të ecur përpara në këtë drejtim, madje edhe kundërshtimi i anëtarëve të Këshillit të Evropës duke u thënë se kjo Qeveri nuk do ta bëjë, nuk ua lehtëson anëtarëve të Këshillit të Evropës që të ecin përpara me aplikimin. Ky është vetëm një rast, por që nuk duhet nënvlerësuar, sepse liria e besimit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren shumë seriozisht nga Këshilli i Evropës dhe mendoj se kjo është diçka që mund të korrigjohet lehtësisht, nëse Qeveria do të kishte vullnetin politik që më në fund të ketë një propozim se si ta bëjë këtë”, ka thënë Cramon në emisionin “Slobodno Srpski”.
Eurodeputetja gjermane, ka theksuar se Kosova duhet të mbetet një vend multietnik meqë bashkësia ndërkombëtare e ka përkrahur si të tillë.
“Kur bashkësia ndërkombëtare mbështeti popullin e Kosovës, ishte e qartë se ky vend duhet të jetë, të bëhet dhe të mbetet një vend multietnik, një vend demokratik multietnik, një vend i larmishëm dhe është edhe në Kushtetutë. Është një marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj është në interesin tonë që këto kritere t’i mbajmë në vend”, ka thënë ajo.