Von Cramon: Vuçiqi duhet ta ketë të qartë se jemi krah Ukrainës
Eurodeputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të sigurohet që shumica është në mbështetje të Ukrainës.
Von Cramon ka shtuar se agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës ka tronditur tërë kontinentin evropian.
“Sigurisht që agresioni i tmerrshëm rus ndaj Ukrainës po trondit gjithë kontinentin evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu të prekura nga rritja e çmimeve të energjisë, nga rrënimi i ekonomisë, nga kërcënimet e sigurisë”, tha von Cramon, në një intervistë për The Geopost.
Raportuesja për Kosovën në këtë institucion thekson se pavarësisht krijimit të qeverisë së re në Beograd, Aleksandar Vuçiq është ai që i merr të gjitha vendimet dhe se e sundon tërë vendin.
Ajo pohon se ish-ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin qartazi është kukull pro-Putinit.
“Do të shohim, në fund është Aleksandar Vuçiq ai që i merr vendimet, ai po e sundon vendin. Aleksandar Vulin ishte qartazi kukull pro-Putinit, ai vazhdimisht më sulmonte, por a mund t’i marrësh seriozisht?”, pohon ajo.
“Nuk mundem, sepse në fund ende përshtypja ime është se edhe Serbia do të donte të bëhej anëtare, por ata kanë një përqindje mjaft të madhe të popullsisë së tyre, që janë nacionaliste dhe mbështesin Rusinë”, përfundon von Cramon.