Von Cramoni: Franca, Gjermania e Holanda i ndalën vizat, Macroni ta kuptojë se duhet ta mbajmë premtimin
Kosova dhe Franca, pas takimit të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit Emmanuel Macron, nënshkruan dy marrëveshje bilaterale.
Por, cila është rëndësia e tyre? Për gazetën “Express” kanë folur raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, dhe Eugen Cakolli nga KDI-ja.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është kthyer ditë më parë nga Franca me dy marrëveshje të rëndësishme për shtetin. Në njërën marrëveshje mundësohet zhvillimi i aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve.
Nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve e sheh të rëndësishme edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Në një përgjigje për gazetën “Express” ajo thotë se nënshkrimi i tyre do të ketë ndikim për Kosovën në disa fusha.
“Përmes njoftimin jemi informuar se marrëveshjet janë njëra për Agjencinë Franceze të Zhvillimit, që do të pasqyrojë një prani më të madhe të Qeverisë franceze në Kosovë, si dhe mbështetjen në sektorin ekonomik privat, të sigurisë, mbrojtjes dhe sektorë tjerë”, ka thënë raportuesja e PE-së për Kosovën.
Viola von Cramon ka vlerësuar se takimi i kryeministrit Hoti me presidentin e Francës, Emannuel Macron, është një hap i rëndësishëm, pasi që ky shtet ka qenë që një kohë skeptik për çështjen e vizave.
“Është një hap i rëndësishëm që kryeministri dhe presidenti Macron patën një takim dy palësh, pasi që deri më tani, Franca, Gjermania dhe Holanda kanë qenë forcat kryesore që do kanë ngadalësuar procesin e vizave për Kosovën. Ky ishte një hap i rëndësishëm për t’u përgatitur për samitin e së Dielës ku do të jenë të pranishëm edhe Merkel dhe Vuçiq”, ka thënë ajo.
Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, ka thënë se presidenti Macron duhet ta kuptojë se çka është në diskutim si dhe të përmbushë premtimin e dhënë.
“Ai gjithmonë përqendrohet shumë në aspektet gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sidomos për këtë arsye do të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të gjashtë shtetet ndërsa liberalizimi i vizave është një nga parakushtet për këtë”, ka thënë ajo, duke shtuar se Franca duhet të ketë një angazhim më të mirë në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht rezervave që kanë për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
“Është mirë që si Merkel ashtu edhe Macron janë personalisht të angazhuar në procesin e dialogut. Ata janë shumë të nevojshëm në mënyrë që BE të mund të drejtojë vërtet dialogun dhe ne shpresojmë se mund të ndihmojmë në një afat të gjatë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka përfunduar ajo.
Të rëndësishme arritjen e marrëveshjeve bilaterale Kosovë – Francë, e vlerësojnë edhe njohësit e çështjeve politike.
Në një përgjigje për gazetën “Express”, Eugen Cakolli, nga KDI-ja ka sqaruar edhe përmbajtjen e tyre.
“Marrëveshjet e arritura pas takimit mes Francës dhe Kosovës, pas vizitës së kryeministrit Hoti në Paris, për nga natyra kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, përkatësisht me intensifikimin e rolit të Bankës Franceze për Zhvillim në sektorë të ndryshëm, si dhe ofrimin e mundësisë së punësimit të familjarëve të diplomatëve në Kosovë. Këto marrëveshje, sidomos për rolin e AFD-së në sektorin e shëndetësisë, energjisë, ujërave dhe teknologjisë digjitale, është thënë se do të kenë efekt pozitiv në jetën e qytetarëve, por edhe do të kontribuojnë në integrimin rajonal në funksion të përafrimit me BE-në”, ka thënë nga KDI-ja.
Cakolli ka thënë se takimi në Paris ka qenë i një rëndësie të veçantë, sepse ka shënuar një pikë-kthese drejt rifillimit të procesit të dialogut me Serbinë, nën drejtimin e Francës dhe Gjermanisë, si dy shtetet më të fuqishme brenda BE-së.
“Takimi në Paris i paraprin takimit virtual që do të mbahet mes Hotit dhe Vuçiqit. Po ashtu, ky zhvillim është i një rëndësie të veçantë për shkak se shënon një angazhim direkt të këtyre dy vendeve drejt përmbylljes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është pritur pak ditë më parë nga presidenti Emmanuel Macron në pallatin Elysee.
Dy ditë më vonë në Paris ka qëndruar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.