
Von der Layen takon Dua Lipën: Ke ndikim kaq të madh në botë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Layen është takuar me këngëtaren e njohur shqiptare Dua Lipa në Këshillin e Atlantikut, shkruan Gazeta Express.
Presidentja e KE-së ka ndarë edhe një fotografi nga takimi me yllin e muzikës botërore, teksa shkroi se është e lumtur që e takoi atë.
“E lumtur që e takova @DUALIPA në @AtlanticCouncil, Çmimet e lidershipit. Dua, ti ke një ndikim kaq të madh në botë”, ka shkruar ajo në një postim në “Twitter”.
Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është nderuar nga Këshilli i Atlantikut me Çmimin për Udhëheqësi të Dalluar Artistike.
Në faqen zyrtare të Këshillit të Atlantikut thuhet se Lipa është nderuar për zotimin e saj për një varg kauzash së filantropisë, përfshirë fuqizimin e gjeneratës së ardhshme të udhëheqësve e muzikantëve të Ballkanit.
“A nuk do të ishte e duhur që Kosova ta marrë vendin e saj, të lulëzojë ekonomikisht krahas fqinjëve tanë dhe t’i shërojë plagët e konfliktit? Me këtë vizion në mendje, e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë rininë e Kosovës”, tha Dua Lipa në ceremoninë e pranimit të çmimit.
Në ceremoni ishte e pranishme edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani-Sadriu, e cila mbajti një fjalë rasti.