Von der Leyen: BE-ja duhet t’i përmbushë premtimet ndaj Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) duhet t’i përmbushë premtimet që u ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vazhdojë procesin e zgjerimit.
Në këtë aspekt, muajt e ardhshëm janë “vendimtarë”, ka thënë ajo në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
“Është veçanërisht e rëndësishme që të ruhet momentumi në Ballkanin Perëndimor përpara se të mbahet Samiti i Zagrebit – nëse duam që ky samit të jetë i suksesshëm. Duhet t’i kryejmë detyrat tona, tani”, ka thënë von der Leyen.
Ajo ka theksuar se duhet mundësuar nisja e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sepse, sipas saj, këto dy vende e kanë kryer pjesën e tyre të obligimeve dhe se tani i takon palës evropiane të përmbushë premtimin.
Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me këto dy vende, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet.
Vendimi është bllokuar nga Franca, e cila ka kërkuar reforma të mëtejshme nga to, por edhe reformim të procesit të zgjerimit.
Për rrjedhojë, deri në fund të janarit, Komisioni Evropian do të dalë me një metodologji të re për negociatat e pranimit, e cila më pas duhet të mbështetet nga shtetet anëtare të BE-së.
Me Bashkimin Evropian aktualisht kryeson Kroacia.
Samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Zagreb në muajin maj.