Von der Leyen dhe Borrelli do të shkojnë në Ukrainë për ta takuar Zelenskyn
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bashkë me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, do të udhëtojnë për në Kiev këtë javë për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas raportimeve për krime lufte nga trupat ruse në Bucha.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Eric Mamer, përmes një njoftimi në llogarinë e vet në “Twitter”.
“Presidentja von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë Josep Borrell do ta vizitojnë Kievin këtë javë për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky, përpara ngjarjes së të shtunës ‘Stand up for Ukraine’ në Varshavë”, ka shkruar Mamer.
Lajmi vjen pas bisedimeve të zhvilluara në mes presidentes së Komisionit Evropian dhe Zelenskyt, në të cilat ata folën për krimet që dyshohet se kanë ndodhur në Bucha, Ukrainë. Në një deklaratë të lëshuar të hënën, presidentët diskutuan edhe varret masive që pretendohet se janë zbuluar.
“Kam folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për vrasjet e tmerrshme që janë zbuluar në Bucha dhe zona të tjera nga të cilat trupat ruse janë larguar së fundmi”, ka thënë von der Leyen përmes një deklarate.